RROBAT E SHENJTA TË KLERIKUT GJATË CEREMONIVE FETARE
pubblicata da Mitropolia e Hirshme e Beratit il giorno Venerdì 8 marzo 2013 alle ore 21.55 ·
Rrobat
priftërore janë të shenjta dhe transmetojnë shenjtërim. Njeriu që jeton
jashtë kishës është i zhveshur nga Hiri Hyjnor. Por me pagëzimin,
njeriu vishet me stolinë e perëndiendur: “Sa u pagëzuat më Krishtin, me Krishtin u veshët”. Prifti,
përderisa pranoi Hirin Hyjnor me pagëzimin e shenjtë, me hirotonisjen, e
pranon përsëri për t’ia ofruar botës. Me misterin e Priftërisë, njeriu
bëhet “kujdestar i mistereve të Perëndisë” (1 Kor. 4:1). Këtë shërbesë të lartë të klerikut, të mistereve të shenjta, simbolizojnë rrobat e hirshme.
I
Kleriku,
që nga dita e hirotonisjes së tij, sa herë përgatitet për të meshuar,
merr një nga një rrobat e shenjta, i bekon në formë kryqi, i puth dhe i
vesh, duke treguar se ato “janë shenjtëruar dhe shenjtërohen me kryqin e Krishtit, dhe veshja e tyre transmeton shenjtërimin”. Prandaj, ai që tregon shpresëtari ndaj rrobave të shenjta dhe i puth, “kryen një vepër besimi dhe do të shpëtohet siç shpëtuan -domethënë, u shëruan- edhe ata që preknin cepin e rrobës së Jisu Krishtit” (Marku 6:56).
Besimtarët
tregojnë shpresëtari ndaj rrobave të shenjta të klerikëve sepse janë të
hirshme. Dhe prifti, duke veshur stolinë e tij, na kujton se,
megjithëse është nga kjo botë, nuk i përket vetëm kësaj bote. Qëndron
midis njeriut dhe Perëndisë, si një urë prej së cilës ngjiten lutjet
tona tek i Larti dhe zbresin dhuratat e Perëndisë.
Këto rroba
ruajnë formën e hershme sipas gradave të priftërisë. Janë shtatë, sipas
shtatë dhuntive të Shpirtit të Shenjtë dhe sipas numrit të hirshëm të
plotësisë dhe ndahen përkatësisht në tri gradat e priftërisë.
Dhjaku
ka tre, në emër të Trinisë së Shenjtë, Stiharin, Orarin dhe Mbimëngët.
Prifti pesë, sipas numrit të shqisave: Stiharin, Petrahilin, Mbimëngët,
Brezin dhe Fellonin. Episkopit i përkasin shtatë, plotësia e priftërisë.
Katër të parat, sikurse prifti, plotësuar më tej me Sakon
kryepriftërore, në vend të fillonit, Epigonatin dhe Omoforin. Për të
vlerësuar më tepër gradën kryepriftërore u shtuan Kryqi, Engolpioni,
Skeptri Baritor dhe Mitra. Kurse tek priftërinjtë jepen si ofiqe
-vlerësime- Kryqi dhe Epigonati, tek ikonomi dhe protoprezviteri.
II
Rrobat e shenjta dhe kuptimi i tyre.
A. Stihari.
Stihari është një këmishë e gjatë deri tek këmbët, e përbashkët për të
tri gradat e priftërisë, me mëngë të gjëra që lidhen tek kyçet e duarve
për lehtësi përdorimi në shërbesa. Ngjyra e tij është zakonisht e
bardhë, për të simbolizuar veshjen e ndritshme të engjëjve dhe
pastërtinë, për të cilën meshtarët denjësohen nga Hiri Hyjnor. Këtë
dëshmon edhe vargu biblik që thuhet gjatë veshjes së tij: “Do të
ngazëllohet shpirti im më Zotin; se më veshi me veshje shpëtimi dhe më
pështolli me rrobë gëzimi; më vuri kurorë si një dhëndri, dhe si nuse më
stolisi” (Isaia 61:10).B. Orari.
Oro -nga latinishtja, lutem- është një shirit rrobe që rrotullohet në
supin e majtë dhe në skajet, që varen para dhe mbrapa, shkruhet shenjt,
shenjt, shenjt. Simbolizon krahët e engjëjve, përderisa dhjakonët “dërgohen për shërbesë për ata që kanë për të trashëguar shpëtim” (Heb. 1:14). C. Mbimëngët.
Me to, të përbashkëta për të tria gradat e priftërisë, mbështillen
kyçet e duarve. Ato simbolizojnë veprimin e tërëfuqishëm të Perëndisë
dhe dhuratat e çmueshme, që i blatohen Perëndisë me duart e meshtarëve.
Prandaj thuhen vargjet e psaltirit: “Dora jote e djathtë o Zot, u
lavdërua me fuqi; e djathta jote, o Zot, theu armiqtë, dhe me lavdinë
tënde të shumtë dërrmove kundërshtarët. Duart e tua më bënë dhe më dhanë
formë, bëmë të mençëm dhe do të mësoj porositë e tua.” (Psalmi 118:73). Ato simbolizojnë gjithashtu prangat e Zotit me të cilat, i lidhur, iu dërgua Pilatit.D. Petrahili.
Asnjë shërbesë nuk bëhet në kishën tonë pa petrahil. Atë e mban prifti
dhe episkopi dhe simbolizon Hirin e Shpirtit të Tërëshenjtë që zbret së
larti. Prandaj edhe kur vendoset, thuhet: “I bekuar është Perëndia
që derdhi Hirin e Tij mbi priftërinjtë e Tij, si miro mbi kryet, që
zbret mbi mjekrën, mjekrën e Aaronit, që zbret në anën e rrobës së tij.”
(Psalmi 131:16). Thekët që vendosen në fund të petrahilit
simbolizojnë shpirtrat e besimtarëve për të cilët klerikët janë
përgjegjës dhe do të japin llogari, ditën e Gjyqit, para Perëndisë.E. Brezi.
Sipas uratës që thotë prifti, brezi, kur vendoset rreth mesit,
simbolizon, së pari, fuqinë e Perëndisë, që forcon meshtarin në
Liturgjinë Hyjnore dhe, së dyti, pastërtinë dhe mençurinë që duhet ta
stolisë. Duke u vendosur drejt veshkave, që konsiderohen qendra e
dëshirave, na kujton vdekjen e tyre. Vetë Zoti na thotë: “Le të jenë
meset tuaja ngjeshur, që të jeni të gatshëm dhe të zgjuar për të
zbatuar vullnetin e Perëndisë dhe të fitoni kështu thesare në qiej.” (Lluka 12:35).F. Felloni. Është veshje e hershme pa mëngë, për të treguar, sipas shën Kozmait të Etolisë, “që prifti nuk merret me gjërat e botës”. Simbolizon “mantelin e paqepur” të
Zotit, të përbërë vetëm prej një cope, dhe Kishën mbi tokë, që do të
thotë se kështu duhet të jetë Një edhe Kisha, e papërçarë. Simbolizon
mantelin e kuq (Mateu 27:28), që veshën Jisu Krishtin
në pallatin e Pilatit, për ta përqeshur. Kështu çdo prift që ecën në
gjurmët e Krishtit shpesh, përqeshet, padrejtësohet, kryqëzohet. G. Epigonati. Epigonati që mban kryeprifti, simbolizon peshqirin (Joani 14:4), me të cilin Zoti fshiu këmbët e nxënësve të tij. Simbolizon edhe thikën shpirtërore (Efes. 6:17).
Sipas shën Simeonit, kryepeshkopit të Selanikut, simbolizon edhe
fitoren e Zotit kundër vdekjes dhe ngjalljen e Tij, prandaj edhe
meshtarët thonë: “Ngjeshe kordhën tënde, o i fuqishëm, me bukurinë
tënde, përqendroi forcat dhe shko përpara me ngadhënjim dhe mbretëro për
të vërtetën, për butësinë dhe për drejtësinë; dhe e djathta jote do të
të udhëheqë çuditërisht.” (Psalmi 44: 4-5). H. Sako kryepriftëror.
Kjo veshje zëvendësoi, në periudhën e perandorisë otomane, fellonin me
shumë kryqe të episkopit, dhe u bë në ngjashmëri me sakon perandorake.
Por e mbajti simbolikën e fellonit, përderisa kryeprifti simbolizon
Krishtin. Kumborëzat, ngjasojnë me kumborëzat e sakos së Aaronit, si një
simbol të mësimdhënies dhe predikimit, që është kompetenca dhe detyra
kryesore e kryepriftit.I. Skeptri baritor.
Është simbol i pushtetit baritor dhe shpirtëror të episkopit. Në pjesën
e sipërme mban kryqin midis dy gjarpërinjve, që të kujtojnë mençurinë
baritore, sipas fjalës së Zotit: “Ja tek po ju dërgoj unë ju si dhen në mes të ujqërve; bëhuni pra të zgjuar si gjarpërinjtë dhe të butë si pëllumbat” (Math. 10:16).J. Omofori.
Është shirit rrobe që varet në qafë dhe simbolizon delen e arratisur që
Zoti e gjeti dhe e mori mbi supe. Prandaj dhe rekomandohet të endet
prej leshi deleje. Deri në leximin e apostullit episkopi mban Omoforin e
madh, pas ungjillit dhe deri në fund të meshës mban Omoforin e vogël,
ashtu si edhe në gjithë shërbesat e tjera. K. Mitra kryepriftërore.
E ka fillimin e saj në Dhiatën e Vjetër. Simbolizon kurorën prej
gjembash por edhe pushtetin mbretëror të Zotit, për të treguar se
kryeprifti është ikona e gjallë e Krishtit në kishën e Tij. Përdorimi i
saj u përhap pas shekullit të 16. L. Engolpioni kryepriftëror.
Varet me zinxhir të artë në qafën e kryepriftit. Është shenja dalluese e
gradës kryepriftërore. Simbolizon vulën dhe dëshminë e besës. Në formën
e tij vezake ikonizohet Zoti Krisht që bekon me dorën e djathtë dhe në
të majtë mban Ungjillin.M. Dyqeri dhe Triqeri.
Mbahen nga kryeprifti dhe me to bekon popullin. Dyqeri simbolizon dy
natyrat e Zotit Krisht si Perëndi dhe Njeri. Triqeri simbolizon Trininë e
Shenjtë. Me ta vulos Ungjillin përgjatë psaljes së himnit Trishenjtor
dhe më pas bekon popullin.N. Mandia kryepriftërore.
E mban kryeprifti kur kryen shërbesa në të cilat nuk nevojitet stolia e
plotë. Për shembull gjatë shërbesës së mbrëmësores, mëngjesores,
litanive etj. E ka prejardhjen e saj nga perandorët.
Meshtarët
veshin tërë stolinë priftërore sipas tipikosë, gjatë Liturgjisë Hyjnore
dhe në disa shërbesa të tjera si për shembull kur kryen proskomidhinë,
mëngjesoren e të Shtunës së Madhe, mbrëmësoren e Pashkës dhe të
Pentikostisë. Në të gjitha ceremonitë e mistereve të tjera, në hyrjen e
mbrëmësores së madhe, gjatë leximit të Ungjillit të mëngjesit, prifti
vesh petrahilin dhe fellonin, Episkopi petrahilin dhe omoforin kurse
dhjakoni stiharin dhe orarin. Në shërbesa të tjera më të thjeshta,
prifti mban vetëm petrahilin.
Duke përfunduar këtu këtë fjalim dhe
duke falënderuar Zotin, lutemi të na denjësojë në vazhdimin e
shpjegimit të Liturgjisë Hyjnore.
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 10.03.2013
Nessun commento:
Posta un commento
Nota. Solo i membri di questo blog possono postare un commento.