sabato 23 aprile 2011

PASHKË 2011
Dhimbja brenda dritës së Ngjalljes
+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
Klerit dhe popullit shpresëtar e Orthodhoks
Bij të shtrenjtë më Zotin,
Besoj në “... një Zot, Jisu Krishtin...,
që pësoi dhe që u varros, dhe që u ngjall”.
            Kremtojmë me ngazëllim Pashkën e Shenjtë dhe Jetëprurëse! Por nuk i mbyllim sytë përpara realitetit të ashpër të jetës sonë të përditshme, dhimbjes, padrejtësisë, sëmundjes dhe vdekjes. Pashka është një përvojë intensive, simbolike, ku zia dhe vajtimi ia lënë vendin gëzimit të Ngjalljes.
            Duke marrë natyrën njerëzore, Krishti u përball direkt me dhimbjen. Ai ngushëlloi, mbështeti, u njësua me ata që vuajnë. “Përderisa ua bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi të vegjël, ma keni bërë mua” (Matth. 25:40). Dhe si përfundim, Ai vetë jetoi dhimbjen shpirtërore e trupore në tërë intensitetin e saj: braktisje, tradhti, mospranim nga populli që i kishte bërë mirë, hedhje poshtë nga udhëheqësit fetarë, poshtërim nga pushteti shtetëror, duke kulmuar me dhimbjen e madhe të Kryqit. Shpëtimtari i botës përqafoi dhimbjen në shkallën absolute.
*   *
            Besoj në Atë “që u kryqëzua për ne në kohën e Pontit Pilat dhe pësoi dhe u varros, dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve”.
            Pësimi i Krishtit, që lidhet në mënyrë organike me Ngjalljen, ka një kuptim më të gjerë çlirimtar. Siç e kishte profetizuar Isaia, Ai, i Pafajshmi, “ndër të paligjtë u numërua, mëkatet e shumë njerëzve i mori mbi vete dhe u dorëzua për hir të mëkateve të tyre” (Isaia. 53:12). Vuajtja dhe i gjithë mëkati i njerëzimit u përqendruan mbi Të. I mori përsipër në mënyrë të vullnetshme në dashuri. Dhe kështu arriti shpëtimin për të gjithë (Isaia. 53:5). Pas pësimit dhe varrimit të Tij, Krishti i triditshëm ngjalli, duke ngritur bashkë me veten e Tij të gjithë gjininë njerëzore. “Vdekja e Zotit u bë fillimi i paprishjes për gjithë natyrën”, shpjegon shën Maksim Omologjeti. Dhe himnuesi kishtar hedh dritë mbi misterin: “Me vdekjen vdekjen e dërrmon, dhe me varrin na jep jetën, dhe pavdekësove dhe trupin tënd” (Kanoni i të Shtunës së Madhe, Ode V). Krishti, i Cili u mishërua, mori të gjithë natyrën njerëzore, mposhti vdekjen për hir të gjithë njerëzimit. Këtë mesazh çlirimtar na e jep si lajm të mirë e kremtja e sotme e Ngjalljes dhe na fton të gjithëve, të dalim nga retë e errëta të depresionit dhe të shikojmë perspektivën e jetës sonë brenda dritës së përjetshme të shpresës.
            Krishti nuk i nxiti nxënësit e Tij të shkojnë drejt një apatie stoike, nuk premtoi jetë komode e të shtruar me lule, nuk na tregoi përralla duke përdorur  fjalë të vagullta e optimiste. Përkundrazi, na zbuloi se sprovat nuk janë pa kuptim, nuk janë hyrje në humnerën e dëshpërimit. Paralajmëroi secilin nga ne, “në botë do të keni hidhërim, por kini guxim, unë e kam mundur botën” (Jn. 16:33). Dhimbja, brenda dritës së Ngjalljes, zbutet, transformohet, nxjerr në sipërfaqe fuqi të fshehura qëndrese e gjallërimi. Si zjarr, i pastron copëzat e arit që fshihen në shpirtin tonë.  
Miliona martirë të krishterë, që jetuan dhe e përfunduan jetën të bashkuar me Atë, përjetuan eksperiencën fitimprurëse të kungimit me Krishtin  “që pësoi, që u varros dhe që u ngjall”. Apostull Pavli e kryente apostullimin e tij me sigurinë ngjallësore që i rrihte në shpirt, duke shpallur se “të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Filip. 4:13).  Sprovat u shndërruan në dhuratë mistike për nxënësit e përkushtuar. Fuqia dhe qëndresa e tyre u mbështetën në përvojën e Ngjalljes së Krishtit. Zbulesa, në mënyrë epigramatike, e përmblodhi këtë siguri ngjallësore. “Mos u frikëso, unë jam i pari dhe i fundit, edhe ai që rron; dhe qeshë i vdekur dhe ja tek jam i gjallë në jetë të jetëve. Dhe kam çelësat e vdekjes dhe të hadhit” (Zbul. 1:17-18).
*  *
            Ne të krishterët nuk e injorojmë realitetin e ashpër të jetës. Por dimë më tepër, se misteri njerëzor nuk shteron në perspektivat e kësaj jete. Duke ndjekur Krishtin, ecim në dritën e Ngjalljes, në një ripërtëritje të vazhdueshme.
Besimi në Zotin, “që pësoi, u varros dhe u ngjall” dhe marrëdhënia e qenësishme me Atë, përçojnë në shpirt qëndresë dhe durim, fuqi për të rezistuar në depresion, qëndrueshmëri burrërore dhe paqe të brendshme. Nga Zoti i kryqëzuar dhe i ngjallur marrim fuqi për të fituar, me pendim të ndërgjegjshëm mbi hidhërimin e brendshëm që shkaktojnë gabimet dhe mëkatet tona. Të durojmë pa mëri dhimbjen që shkaktojnë padrejtësitë, përndjekjet, si dhe braktisja e tradhtia nga njerëz që i deshëm dhe u bëmë mirë.
            Në të njëjtën kohë, ky besimi ynë na frymëzon të qëndrojmë me dhembshuri pranë atyre që vuajnë. Duke treguar respekt dhe përkujdesje për të vuajturit, shprehim, me mënyrën më esenciale, adhurimin tonë ndaj Krishtit që pësoi dhe u ngjall.
*   *
E kremtja e Pashkës, vëllezërit e mi, na ndihmon të shikojmë dhimbjen që na shtyp, të përditshmen, dhimbjen e madhe ose të vogël, deri dhe vuajtjen e vdekjes, në një perspektivë të ndryshme. Duke kundruar Krishtin që u kryqëzua dhe u ngjall, duke përjetuar dhimbjen tonë bashkë me Të, parashijojmë në paqe një Ngjallje shumëdimensionale.
Zoti i ngjallur le të na falë fuqinë që të jetojmë dhimbjen, trupore, shpirtërore,  personale dhe shoqërore brenda dritës së Ngjalljes së Tij. Dhe për më shumë, le të ndajmë bashkërisht me mirësi, hidhërimet e atyre që ndodhen pranë nesh, duke u kujdesur t’i lehtësojmë me besimin ngjallësor dhe dashurinë tonë të shprehur me vepra.
Krishti u Ngjall!
Me të gjithë dashurinë time më Krishtin

+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

Nessun commento: