mercoledì 7 marzo 2012

Dalla Chiesa Ortodossa d'Albania

20 vjet nga ringritja e arsimit kishtar
U festua përvjetori i hapjes së Seminarit Orthodhoks
-Më 7 shkurt 1992 filloi mësimin kursi i parë për klerikë –
    Në këto dy dekada nuk janë të shumta janë ngjarjet që arrijnë të përmbledhin në vetvete mrekullinë e ringritjes së Kishës sonë pas dimrit ateist dhe njëkohësisht të dëshmojnë largpamësinë vizionare të Kryepiskopit Anastas, sa hapja e kësaj shkolle. Kur u mbyllën kishat, me gjithë kufizimet e përndjekjet, Kisha jonë kishte ende rreth 400 prifterinj që shërbenin në gjithë vendin. Në vitin 1991 kishin mbetur vetëm 20, në moshë të shtyrë, një pjesë të pamundur për të shërbyer e të tjerët të sëmurë, në fund të rrugëtimit të tyre tokësor (sot kane mbetur gjallë vetëm 2 nga ata).
   Në çastin e ardhjes në Shqipëri, Eksarku Patriarkal, Anastasi, kishte gjetur vetëm rrënojat e kishave të shkatërruara, por rrënojat shpirtërore ishin edhe më të mëdha. Ndaj, krahas ringritjes së tempujve duhej ringritur edhe kisha në shpirtin e besimtarëve, por kjo nuk mund të bëhej pa barinj, pa klerikë, që do kryenin shërbesat e do drejtonin njerëzit në besim. Disa të  rinj entuziastë ishin drejtuar jashtë kufijve, për të marrë mësime fetare, por Fortlumturia e Tij ishte i bindur se nuk mund të ecej përpara pa krijuar kushtet që ata që dëshironin t’i hynin kësaj rruge të vështirë, por të bekuar, të kishin mundësi të shkolloheshin këtu, në vend. Ndaj e përcaktoi si përparësi hapjen e Seminarit Orthodhoks.
    Më 7 shkurt 1992, në mjediset e mara me qira në kampin e punëtorëve në Durrës, u mblodhën 45 nxënësit e parë, të moshave të ndryshme, të cilët, me gjithë kushtet mjaft të vështira, ishin entuaziastë për t’i shërbyer Kishës që po rilindte. Mësuesit e parë ishin vetë Kryepiskopi, atë Ilia Katre nga SHBA (që ishte edhe drejtori i parë), teologu Dhimitër Beduli, që kishte drejtuar Seminarin Teologjik të mbyllur në vitin 1945, teologu Teodor Papapavli etj., por edhe murgj e teologë të ardhur nga jashtë me dëshirën për të kontribuar në këtë vepër titanike.
   Mjediset ishin të papërshtatshme për t’u realizuar si duhej gjithë procesi mësimor. Në mungesë të një trualli, që nuk u dha kurrë, Kryepiskopi Anastas siguroi fondet për të riblerë tokën e Manastirit në Shën Vlash, Durrës, ku në një pjesë të saj nisi ndërtimi i një Akademie Teologjike moderne, e cila priti nxënësit e parë në vitin 1996. Nga bankat e saj kanë dalë gati të gjithë klerikët që shërbejnë në të gjithë vendin dhe dhjetëra katekistë  e kuadro të rinj të Kishës sonë. Në mbështetje të Akademisë funksionojnë edhe dy lice kishtarë “Kryqi i Nderuar”, në Gjirokastër dhe në Sukth, Durrës.
    Me rastin e këtij përvjetori, në Manastirin e ri të Shën Vlashit dhe në mjediset e Akademisë Theologjke “Ngjallja e Krishtit” u organizuan disa veprimtari. Ato nisën me Liturgjinë Hyjnore në kishën e Manastirit, për të vazhduar me aktivitetin e titulluar “Të gjitha janë të mundura për Perëndinë”. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre Krypiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, Mitropoliti i Korçës, Joani, Episkopi i Krujës Andoni, Episkopi i Apollonisë Nikolla dhe dy anëtarët më të rinj të Sinodit të Shenjtë, Episkopi i Amantias Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit Asti. Morën pjesë edhe klerikë ish-nxënës në kursin e parë të shkollës, në vitin 1992, studentë të Akademisë etj.
   Për përvjetorin e shkollës foli Episkopi i Apollonisë, Hirësi Nikolla, drejtor i komanduar i Akademisë Teologjike, dhe më pas u shfaq një montazh fotografik për rrugën e shkollës në këto dy dekada. Më pas u mbajtën referate nga dy pedagogë, nga znj. Violeta Plepi "Studentët e Akademisë në shërbim të Kishës së Krishtit"  dhe nga z. Nathan Hope "Themeli apostolik për një thirrje apostolike". Pastaj u lexuan përshëndetjet nga drejtori i parë, Hirësi Ilia dhe ish-pedagogu atë Luka Veroni, si dhe foli Protopresviter Jani Trebicka, një nga nxënësit e kursit të parë, sot Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë. Në fund të pranishmit i përshëndeti Kryepiskopi Anastas, i cili u ndal në rrugën e bërë, por edhe në detyrat e synimet për të ardhmen. Pastaj Fortlumturia e Tij mbajti një referat mbi mënyrën si duhet kuptuar teologjia në ditët e sotme.
    E gjithë ceremonia u shoqërua me këngë e himne të përgatitura nga kori i Akademisë.

Thoma Dhima

Nessun commento: