mercoledì 15 giugno 2011

Shkruar nga Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas në librin THESARI I ORTHODHOKSISË 2000 Vjet Histori - Monumente - Art. Vol. II - Patriarkanat dhe Kishat Autoqefale. (ky libër është botuar vetëm në greqisht dhe anglisht) Kliko fotografinë për ta hapur Hyrje 1. Nga vitet Apostolike deri në vitin 731 2. Nga viti 731 deri në fillim të shek. XI 3. Nga fillimi i shek. XI deri në vitin 1767 4. Nga viti 1767 deri 1937 5. Nga viti 1937 deri në ditët tona Arti - 1. Arkitektura & Mozaikët Arti - 2. Miniaturat & Ikonografia

Kisha e Shqipërisë
 Tradita historike - shpirtërore
  
1 -   Nga vitet Apostolike deri në vitin 731



         
Apostull Pavli, duke i shkruar bashkësisë së Romës nga Korinthi (në vitet 55 – 57 pas Krishtit), thotë se ai veproi me zell hyjnor, "kështu prej Jerusalemit e përqark e gjer në Ilirik, kam predikuar Ungjillin e Krishtit" (Rom. 15: 18-19). "Gjer në Ilirik" tregon se mund të përfshihet edhe Iliriku, i cili në shek. I pas Krishtit ishte provincë e Maqedonisë. Nën dritën e vargut që pason "kështu jam munduar të predikoj Ungjillin jo aty ku njihej Krishti, që të mos ndërtoja mbi themelin e ndonjë tjetri" (Rom. 15: 20), kemi të drejtë të supozojmë se Apostull Pavli, personalisht ose nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, mbolli i pari farën e Ungjillit edhe në zonën gjeografike të Shqipërisë, së cilës po i referohemi. Prania e tij në Nikopojë (Nikopoli), pak më në jug të Shqipërisë së sotme, është e pakundërshtueshme (Titit 3: 12); ashtu si edhe veprimtaria apostolike e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Titit, në Dalmaci, pak më në veri të Shqipërisë së sotme (2 Timoteut 4: 10). Sipas një tradite të hershme tregohet se apostull i zonës ka qenë Qesari, një nga të 70 apostujt, kurse sipas një tradite tjetër që bie dakord me të, tregohet se Pavli vendosi Qesarin si episkopin e parë të Dyrrahut (Durrësit).
Dëshminë më të qartë rreth pranisë së komunitetit kishtar në Durrës, e tregon martirizimi i episkop Astit në vitin 98 pas Krishtit. Në librin e Mujores së Kishës Orthodhokse (Menologion), shkruhet: “Më 6 korrik Shën Asti, episkop i Durrësit, mbaroi jetën e tij mbi kryq, i lyer me mjaltë dhe i thumbuar nga bletët”. Një ditë më vonë, më 7 korrik, kremtohet kujtimi i disa shenjtorëve: i Peregrinit dhe atyre që ishin me të, Lukianit, Pompeit, Hesikit, Papiut, Saturninit e Gjermanit, me origjinë latine, të cilët i mbyti në det guvernatori i Durrësit, Agrikola.
Durrësi, Epidamni i vjetër, koloni e hershme e kerkirasve (të ardhurve nga Korfuzi), ishte porti kryesor i Adriatikut, portë prej së cilës romakët hynë në Ballkan dhe me anë të rrugës Egnatia, në Thesaloniki (Selanik) dhe Konstandinopoli (Konstandinopojë). Në këtë udhëkryq ishte e natyrshme të zhvillohej që në shekujt e parë të Krishterimit një Kishë kozmopolite, e cila ndonëse vuajti në mënyrë të përsëritur pushtimet, tërmetet, zjarret, gjithnjë ripërtërihej e riorganizohej.
Në kohën e Dioklitianit (284 – 305) zona veriore e Shqipërisë së sotme, me qendër Shkodrën, përbënte një pjesë të krahinës së Prevalitanës (Praevalitana); zona qendrore deri në lumin e Vjosës, me qendër Durrësin, përbënte krahinën e Epirit të Ri (Epirus Nova) dhe zona nga Vjosa deri në gjirin e Ambrakisë përbënte atë të Epirit të Vjetër (Epirus Vetus). Kur Perandoria Romake, me vdekjen e Theodhosit të parë në vitin 395, u nda në Lindje dhe Perëndim, territori i Shqipërisë së sotme kaloi në varësinë e krahinave lindore. Deri në kohën e Konstandinit të Madh, ajo varej politikisht dhe kishtarisht nga Roma. Më pas varej vetëm politikisht nga Konstandinopoja, ndërsa kishtarisht mbeti në juridiksionin e vjetër deri në vitin 731.
I gjithë Iliriku Lindor ishte një kishë vetadministruese nën mbikqyrjen e lartë të Romës, nëpërmjet Vikariatit të Selanikut. Midis nëntë episkopatave të Vikariatit, mitropoliti i Durrësit radhitej i pesti. Tek “Synekdimos i Herakliut”, i shek. VI, përmenden qytete që sot gjeografikisht i përkasin Shqipërisë, kështu në Epirin e Ri: Dyrrahu, Skampa (Elbasani), Apollonia, Bylis, Amantia, Pulkeriopoli (Berati), Avlona (Vlora), Listra dhe Skipon; në Epirin e Vjetër: Evria, Finiqi, Adrianopoli, Ankiasmos dhe Butrotos (Butrinti). (Emrat e qyteteve dhe episkopatave përmenden në burime të ndryshme me mjaft ndryshime). Më në jug, nga viti 429, ishte episkopata e Driinupolit (Drinopolit), me seli fillimisht diku afër Koricës së Dropullit e më vonë (në vitin 558) në Episkopi (Peshkëpi). Shpeshherë selitë episkopale zhvendoseshin për shkak të vështirësive politike e të luftërave në këtë zonë. P.sh. kur episkopatat e Ankiasmos dhe e Finiqit u shkatërruan nga sulmet e gotëve të Totilës (552) selia e episkopatës së Ankiasmës u zhvendos në Himarë dhe ajo e Finiqit përkohësisht në manastirin e Mesopotamit e më pas në Delvinë, ndërsa selia e Evrias fillimisht në manastirin e Soronias dhe më vonë u bashkua me episkopatën e Butrintit.
Të dhënat historike për këtë periudhë janë shumë të kufizuara. Dëshmi të tjera plotësuese sjellin gjetjet arkeologjike dhe – si gurë të çmuar mozaiku – disa emra shenjtorësh e episkopësh. Por këto nuk mjaftojnë për rikompozimin e mozaikut të historisë së Kishës lokale. Varret e krishtera që u gjetën në portikun jashtë mureve të Butrintit (ndoshta të shek. II), janë elementët më të hershme të pranisë së komunitetit të krishterë në Shqipërinë e sotme. Në vende të ndryshme janë zbuluar bazilika paleokristiane (shih Arti - Arkitektura), kryesisht të shek. V – VI, të cilat dëshmojnë me përmasat e tyre se i shërbenin komuniteteve të krishtera me numër të madh besimtarësh dhe përbëjnë dëshmi serioze rreth lulëzimit të Krishterimit në këto vende.
Zonën tonë e vaditën me gjakun e tyre këta shenjtorë: Elefteri, “episkop i Vlorës dhe i Ilirikut” dhe nëna e tij Anthia (në vitin 120); Donati e Therini (në Butrint, në vitin 250); Danaksi (në shek. III); Isauri, Vasili, Inocenti, Feliksi, Hermia e Peregrini (në Apolloni, në shek. III); Trifoni (nga Sheqishta e Beratit, në vitin 313); Donati, episkop i Evrias (në vitin 387) etj. Nga Aktet e Sinodeve Ekumenike (Kuvendeve Mbarëbotërore Kishtare) njohim disa episkopë: Eukarin e Durrësit dhe Feliksin, “episkop i qyteteve të Apollonisë e Bylisit”, të cilët morën pjesë në Sinodin III Ekumenik (në Efes, në vitin 431); Lukën (e Durrësit), Eusebin “e Apollonisë së Epirit të Ri”, “Petron e Ekineut”, në serinë e episkopëve të Epirit të Ri dhe Pelegrinin e Finiqit, Klaudin (ose Kladeo) e Ankiasmës, që morën pjesë në Sinodin IV Ekumenik (në Halkedoni, në vitin 451); Sisinin (e Durrësit), në Sinodin e V-VI (Penthekt ose Quinisext) “nën Kupolë” (në Konstandinopojë, në vitin 691/692). Gjithashtu, në raste të tjera përmenden edhe episkopë të tjerë: Hipati, në Sinodin lokal të Epirit, në vitin 516; Eftihi (ose Efstohi) në vitet 449 – 451; Konstandini, në vitet 523 – 529; Valeriani, episkop i Finiqit në kohën e perandorit Leont; Filipi, në vitin 516 dhe Eustathi, në vitin 586.

Nessun commento: