sabato 16 maggio 2015

Domani: Domenica del cieco nato.

E DIELA E TË VERBRIT (Joani 9:1-39 )

Pohues Guximtarë
«Pasi tha këto, pështyu përdhe dhe bëri baltë prej pështymës, dhe leu sytë e të verbrit me baltën; edhe ai i tha atij:
shko e lahu në pellgun e Siloamit,
që e përkthyer domethënë i Dërguar» (v.6-7) 
Ka shumë sprova në jetën e njerëzve. Ndoshta më e madhja është verbëria. Kështu, njeriu i verbër nuk shikon natyrën e bukur, as personat e tij të dashur. Por, ekziston edhe një e keqe më e madhe nga verbëria natyrore, diçka e papërballueshme. Është verbëria shpirtërore e pabesisë. Duke studiuar tekstet e hirshme dhe historinë e popujve, do të bindemi për sa themi më sipër.
* * *
Në një nga udhëtimet e Tij, Zoti takoi një të verbër që prej lindjes. Nxënësit e Tij pyetën: “Cili mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që të lindë i verbër?” dhe Shpëtimtari u përgjigj se askush nuk mëkatoi, por u bë kjo që të shfaqet lavdia e Perëndisë. Dhe menjëherë më pas, leu me baltë sytë e të verbrit dhe i tha të shkojë t’i lajë në pellgun e Siloamit. I verbri bëri ato që i tha Jisui dhe u kthye duke shikuar.
Njeriu i sëmurë u shërua nga fuqia e Krishtit, jo nga pellgu i Siloamit. Pa fuqinë e Zotit, i verbri do të mundej të lahej çdo ditë në atë pellg dhe të kthehet çdo herë në shtëpinë e tij i verbër.
Por, sa i përulur dhe i bindur ishte i verbri! Jo vetëm e la Zotin të lyejë sytë e tij me baltë, por edhe iu bind, shkoi pastaj në pellg dhe u la. Kur Krishti tha para njeriut, se është drita e botës, iu përgjigj frymës së të verbrit, që të mbjellë brenda tij besën. Tani, duke e dërguar në pellgun e Siloamit, i mëson bindjen, sepse besa është e ndërlidhur me bindjen. Njeriu që beson tek Perëndia, i bindet menjëherë dhe me gatishmëri dëshirës së Tij.
Nëse bëjmë dëshirën e Perëndisë pa bindje, por duke u shfryrë, besa shumë pak do të na jetë e dobishme. Vini re njeriun e verbër: beson, ka bindje, shkon menjëherë në Siloam, ku menjëherë “u la, dhe erdhi duke parë”. Kur u kthye nga Siloami me shikimin e tij të rregulluar, shumë habiteshin dhe pyesnin veten nëse ishte i njëjti njeri, që njihnin më parë si të verbër, apo dikush tjetër që i ngjante. Kur ai vetë u përgjigj, se “unë jam”, të tjerë e pyetën si u hapën sytë e tij. Në përgjigjen e tij, i verbri përshkroi me pak fjalë gjithë ngjarjen, por nuk mundej të shpjegojë si u bë që shikoi. “Shkoi pra dhe u la”. Kur e sollën para Farisenjve dhe ata e pyetën si shikoi, iu përgjigj: Jisui vuri baltë mbi sytë e mi, dhe u lava, dhe shoh” (v.15). Vetëm këtë mundej të thotë, duke dhënë një përshkrim të përpiktë dhe të guximshëm të ngjarjes që kishte ndodhur.
Njeriu i thjeshtë mësoi mësuesit e rremë, cilin dëgjon Perëndia dhe cilin jo, dhe më pas e veçoi Krishtin si çudibërësin më të madh në historinë e botës. “Që prej fillimit të jetës nuk është dëgjuar se hapi njeri sytë e ndonjërit që ka lindur i verbër. Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mundej të bënte asgjë” (v.32-33). Ai njeri tashmë thurte një madhështim të tërë ndaj Shëruesit dhe Bamirësit të tij. E bëri të qartë tanimë se ishte edhe ai pasues i Tij. Dhe i lë Farisenjtë tani, të kuptojnë se ishin të kota gjithë veprimet e tyre dinake, për të mohuar mrekullinë më të vogël, apo ta shtrembërojnë me argumentin se Zoti është mëkatar.
Sapo dëgjuan fjalët e fundit të njeriut të varfër që ishte shëruar, Farisenjtë i thanë: “Ti ke lindur i tërë në mëkate, dhe ti na mëson? Dhe e nxorën jashtë” (v.34). Kur hipokritët dhe gënjeshtarët arrijnë në dëshpërimin e skajshëm, nuk kanë ku të përikin veçse tek dhuna. Farisenjtë panë se kishin përdorur gjithçka, por gjithë dinakëritë e tyre u treguan të kota. Dhe atëherë, të turpëruar dhe duke u sjellë si të marrë, akuzuan njeriun e thjeshtë dhe të ndershëm, e quajtën mëkatar dhe e përzunë.
Deri në këtë pikë, Ungjillori përshkruan renë e dendur dhe të errët që ishte mëse e dukshme në fytyrat e Farisenjve. Në antitezë me dritën e shkëlqyeshme të Shpëtimtarit Krisht dhe mrekullisë së Tij hyjnore. Drita është e vërtetë; errësira është gënjeshtër. Drita është dashuri; errësira është urrejtje. Drita është fuqi; errësira është mungesë e fuqisë.
Zoti Jisu Krisht, pas mrekullisë u largua dhe e la të verbrin për pak kohë, të përballojë i vetëm sulmet e Farisenjve dhe të mbrojë të vërtetën përball gënjeshtrës. Pastaj u shfaq përsëri dhe shkoi të gjejë njeriun që donte të shpëtojë.
“Jisui dëgjoi se e nxorën jashtë; dhe si e gjeti, i tha: I beson Birit të Perëndisë?” (v.35). I verbri i shëruar e kishte kaluar tashmë sprovën e parë. Tregoi se ishte i përulur dhe i bindur, kur Zoti e dërgoi, me sytë e lyera me baltë, që të lahet në pellgun e Siloamit. Kjo është sprova e bindjes. Më pas kaloi edhe sprovën e dytë: La veten e tij të ekspozohet dhe të durojë në ngasje; nuk e tradhtoi Zotin para gënjeshtrave të Farisenjve. Kjo ishte sprova e ngasjes. Pastaj Zoti e kaloi nga sprova e tretë dhe e fundit. Dhe kjo ishte më e madhja. Ishte sprova e besës së drejtë. “I beson Birit të Perëndisë? Ai u përgjigj e tha: Cili është ai, Zot, që t’i besoj?” (v.36).
Krishtin e kishte besuar si mrekullibërës. Tek Farisenjtë e quajti profet. Ngaqë nuk dinte ndonjë emër më të madh si ta quajë. Nuk ishte akoma gati ta quajë Bir të Perëndisë. Ishte në të gjitha i bindur ndaj Zotit; e quajti bamirësin e tij më të madh në tokë. Kështu, donte të dëgjonte kush ishte Biri i Perëndisë, në mënyrë që të besojë tek Ai.  
“Edhe Jisui i tha: e ke parë, dhe Ai është që flet bashkë me ty” (v.37). Ish i verbëri u përgjigj: “Besoj, o Zot, dhe iu fal Atij” (v.38). Zoti u flet me përulësi dhe mirësi atyre që shpëton, siç bën edhe mjeku i mirë me ata që shëron. Nuk i tha ish të verbrit “besomë Mua”, as nuk e shtrëngoi me fjalët: “Unë jam Biri i Perëndisë”. I tha me thjeshtësi: “E ke parë, dhe Ai është që flet bashkë me ty”. Njeriut të lirë dhe me logjik, Zoti i jep kohë të mendohet dhe të vendosë. Sapo njeriu i shëruar mësoi, sa i madh ishte Shëruesi i tij, shumë më i rëndësishëm nga profetët, thërriti përnjëherë me gëzim: “Besoj o Zot”! dhe nuk e tha vetëm me fjalë, por ra në gjunjë dhe iu fal, që të tregojë kështu, në mënyrë praktike, besën e tij.
Thotë Gojarti i hirshëm: “Në këtë mënyrë, ish i verbëri pohoi fuqinë e Tij Hyjnore. Dhe që të mos konsiderohej se besa e tij arrinte deri tek buzët e veta, e vërtetoi edhe me vepra”. Ashtu si më parë ishin hapur sytë e tij truporë, kështu dhe tani u hapën sytë e tij shpirtëror. Tanimë shikonte dhe me sytë truporë dhe me ata shpirtëror, dhe pa përpara tij Perëndi-njeriun, Perëndinë me trup njerëzor.
Ai që tha “trokisni dhe do t’ju hapet, kërkoni dhe do t’ju jepet”, nuk i përgjigjet lutjeve tona, nuk e hap derën e përdëllimit të Tij përnjëherë. Kërko, i thotë secilit prej bijve të Tij Perëndia: “Mos të shkoj nëpër mëndje, se nuk të dëgjoj dhe se nuk dua të të dhuroj ato që më kërkon! Si Ati yt që jam, dua të më ngjash, të jesh në të gjitha biri im i denjë, nuk të duroj të ngathët, të plogët. Jo; të dua të guximshëm. Ashtu si një mbreti nuk i pëlqen të ketë një bir që s’ka shije nga lufta dhe vështirësitë, një bir që do t’i kalonte gjithë ditët e tij duke u çlodhur dhe në luks, kështu edhe unë dua që bijtë e mi të jenë gati për çdo lloj lufte, të kalitur. Dua që fëmijët e mi, të konsiderojnë si pjesën më të mirë, rastet kur do të më tregojnë sa dashuri dhe besnikëri kanë ndaj meje duke luftuar me mjerimin, pengesat dhe privimet”.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
I verbëri i pjesës së sotme të ungjillit është një shembull i ndritur i kësaj besnikërie, që duhet të kemi ndaj Perëndisë. Ashtu si ai i verbër, kështu edhe ne le të ndjekim urdhrat e Zotit, pa humbur guximin dhe besnikërinë tonë, kur Zoti të mos na e japë menjëherë atë çfarë do t’i kërkojmë.
U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 17.05.2015

Nessun commento: