Dal sito della Chiesa Ortodossa d'Albania, ordinazione Diaconale del Fratello Nikolla Kodhelin: Axios, Axios, Axios !!!!!
U mbushën 4 dekada nga dorëzimi në episkop i Fortlumturisë së Tij Anastasit
40 vite të bekuara shërbimi episkopat
Të hënën, 19 nëntor 2012, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i
gjithë Shqipërisë Anastasi kremtoi në Kishën e vjetër Katedrale të
Tiranës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, dyzetvjetorin e dorëzimit të tij
në Episkop të Andrusës, për vendin e drejtorit të përgjithshëm të
Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë (19.11.1972). Me këtë rast
gjatë bashkëmeshimit arkihieratik ku morën pjesë shumë besimtarë,
kryesisht të rinj, Fortlumturia e Tij dorëzoi në prift dhjakun Irine
Gega dhe në dhjak Nikolla Kodhelin, të diplomuar në Akademinë
Theologjike “Ngjallja e Krishtit”. Gjithashtu, hirothetisi (lexim urate
me vendosjen e dorës), në Kryedhjakon dhjakun Anastas Bendo, i diplomuar
në Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Gjuhëve të Huaja të Universitetit
të Tiranës.
Hirotonisja në episkop e Fortlumturisë së Tij, Anastasit, u krye
nga Kryepiskopi i Athinës Jeronimi I, bashkë me mitropolitët Jakov të
Mitilinit dhe Jorgjin e Egalias, ku bashkëmeshuan 12 kryepriftërinj dhe u
bashkëlutën më shumë se 40 mitropolitë. Zgjedhja e tij u bë më
11.11.1972, me votë unanime nga Sinodi i Shenjtë, që ishte zgjedhur në
vitin 1969 nga gjithë Hierarkia e Kishës së Greqisë. Anëtar i Sinodit
ishte gjithashtu edhe Serafimi, Mitropoliti i Janinës (që u bë më pas
Kryepiskop i Athinës). I dorëzuari episkop ishte atëherë profesor me
kohë të pjesshme i Historisë së Feve në Fakultetin Theologjik të
Universitetit të Athinës dhe drejtor i Qendrës Ndërorthodhokse të
sapoformuar në Athinë të Kishës së Greqisë.
Në Liturgjinë e ditës me rastin e këtij përvjetori, në vend të
fjalimeve të tjera u lexua në shqip fjala gjatë hirotonisë e të lumurit
Kryepiskop Jeronimi I, që niste me këto fjalë: “Anastas, është gjë shumë
e rrallë që në dorëzimin e një kleriku gëzimi të jetë kaq
gjith-përfshirës dhe të vijë nga të gjithë anët e grigjës së krishterë.
Sepse shërbesa jote deri në këtë çast, me Hirin e Perëndisë, ka qenë jo
vetëm e paqortueshme, por edhe e bekuar. Kudo ku shkove në vreshtin e
Perëndisë, Hiri i Perëndisë të hijeshoi dhe bekimi i Tij drejtoi hapat e
tu dhe shumëfishoi frytet e punëve të tua.”. Ndërsa i dorëzuari mbaroi
fjalën e tij të rastit si më poshtë: Ju lutem me përgjëratë,
Fortlumturi dhe Juve, hierarkë të nderuar, etër të shtrenjtë dhe
vëllezër, sa më rrethoni në këtë çast me dashurinë tuaj, lutuni që flaka
e cila do të ndizet përbrenda meje, gjatë këtij misteri të shenjtë me
fuqinë e Shpirtit të Shenjtë nga zjarri i Pentikostisë, të digjet
gjithmonë me përulësi përballë ikonës së të Kryqëzuarit dhe shenjtorëve,
në një Liturgji të vazhdueshme besimi e dashurie, që të transmetojë, në
çdo vend ku të vendoset, diçka nga ngrohtësia, ngushëllimi dhe shpresa e
Ngjalljes dhe e Pentikostisë (Tekstet e plota do të botohen në numrin e
ardhshëm të gazetës “Ngjallja”).
Përgjatë dhjetëvjeçarit të parë të shërbesës episkopale të tij,
paralelisht me drejtimin dhe riorganizimin e Shërbimit Apostolik,
Kryepiskopi Anastas vazhdoi të japë leksione në Universitetin e Athinës.
(Pedagog me kohë të plotë u zgjodh në vitin 1976 dhe nga viti 1982 deri
më 1986 ishte dekani i këtij Fakulteti). Gjithashtu, mori pjesë si
përfaqësues i Kishës së Greqisë në kë-shilla theologjike dhe mbledhje
ndërkombëtare. Për më tepër, gjatë dhjetëvjeçarit të dytë si episkop
mori përsipër edhe riorganizimin e Hierapostullimit në Afrikën Lindore,
si Mëkëmbës i Mitropolisë së Hirshme të Irinupolit (Kenia, Uganda,
Tanzani). Nga viti 1991 e deri më sot, punon për ringritjen dhe
zhvillimin e Kishës Orthodhokse Auto-qefale të Shqipërisë, fillimisht si
Eksark i Patri-arkanës Ekumenike (1991 deri në qershor 1992) dhe nga
ajo kohë u zgjodh Kryepiskop.
Gjatë kohës së shërbimit të tij episkopal, Kryepiskopi Anastas ka
hirotonisur mbi 230 klerikë të të gjitha shkallëve të priftërisë (grekë,
shqiptarë, amerikanë, kenianë, ugandas, tanzanianë), pasi më përpara u
përkujdes edhe për studimet theologjike të pjesës më të madhe të tyre.
Kontributi i tij serioz në shkencën e theologjisë, në dëshminë
bashkëkohore orthodhokse, në dialogun ndërfetar, në veprën sociale dhe
në bashkekzistencën paqësore të popujve është i njohur gjerësisht. Nga Kryepiskopata e Hirshme e Tiranës.
20.11.2012
Nessun commento:
Posta un commento