Përurohet me Shërbesën e Shenjtërimit kisha kushtuar
Apostull Pavlit dhe Shën Astit në Durrës
Apostull Pavlit dhe Shën Astit në Durrës
Të dielën 3 maj, besimtarët e Durrësit u mblodhën në kishën kushtuar Apostull Pavlit dhe Shën Astit për një shërbesë tepër të veçantë: Shenjtërimin e saj nga Kryepiskopi Anastas.
Në fund të Shërbesës së Mëngjesores filloi Shërbesa e Shenjtërimit, me uratat e lexuara nga Kryepiskopi Anastas, që ndihmohej nga Episkopi Nikolla, Episkop Andoni dhe klerikë të tjerë. Më pas u krye 3 herë litania rreth kishës dhe u bë hapja e dyerve dhe filloi shërbesa me vendosjen e lipsanave në Tryezën e Shenjtë. Pas shërbesës u krye Liturgjia Hyjnore.
Kryepiskopi Anastas u foli besimtarëve për kuptimin dhe rëndësinë e kësaj dite, ndërsa nga klerikët, këshilli kishtar, dhe besimtarët durrsakë u lexua një falënderim për Fortlumturinë e Tij, ku theksohej kontributi i vazhdueshëm dhe i mbushur me dashuri për këtë qytet të lashtë dhe me rrënjë të thella të krishtera, si dhe për tërë zonën përreth.
Në shërbesë morën pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako, Prefekti, z. Klodian Pajuni, ish-kryetari i Bashkisë dhe sot Drejtor i Përgjithshëm i Postave, z. Arqile Goreja etj.
Kisha ka disa vjet që ka hapur dyert. Lutje dhe shërbesa mund të bëhen kudo, edhe në natyrë, por që një tempull të quhet i shenjtëruar duhet që në Tryezën e Shenjtë të vendosen lipsane të shenjta. Kur është e mundur këto lipsane duhet të jenë të martirëve, që dhanë jetën për Kishën, për të plotësuar origjinën e vërtetë të kësaj shërbese shenjtërimi, që vjen nga shekujt e parë të krishterimit, atëherë kur Liturgjia Hyjnore dhe shërbesat kryheshin mbi varret e martirëve.
Kjo rëndësi e atyre që u sakrifikuan për besimin e krishterë theksohet edhe nga vegimi i Joanit në Librin e Apokalipsit - Zbulesës, ku ai pa se nën altarin e Qiellit ishin vendosur shpirtrat e atyre që ishin martirizuar duke u prerë kokën.
Madje edhe kur nuk është kryer ende kjo shërbesë, kisha ku bëhet Liturgji shenjtërohet nga lipsane të qepura në antimisin që vendoset mbi Tryezën e Shenjtë.
Gjithashtu, gjatë shërbesës së shenjtërimit Kryepiskopi shkruan në katër cepat e kishës monogramin e Krishtit (me germat XP, Jisu Krishti). Kjo bëhet me Miro të shenjtë, dyllë dhe aroma të caktuara, që tregojnë veçoritë e Shpirtit të Shenjtë.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore kryepiskopi tha: “Me shërbesën e shenjtërimit që u krye sot, tashmë ky vend bëhet më i shenjtë, kthehet në një qendër ngushëllimi, të lutjes, vëllazërimit dhe dashurisë. Ne kemi mundësi të ripërtërijmë shpresat tona dhe me fuqi të re të përparojmë në jetën e përditshme. Këtu mund të kryhet komunikimi jo vetëm me Perëndinë, por edhe me të gjithë njerëzit, që Ai me dashurinë e Tij i ka shpëtuar. Sa herë që ofrojmë Liturgjinë Hyjnore, ne lutemi për gjithë qytetin dhe botën. Kisha është një qendër kungimi me të tashmen, me të shkuarën, sepse lidhet kontakti me martirët që dhanë dëshminë e besimit në të kaluarën, por lidhet edhe me të ardhmen.
Në këtë shërbesë të veçantë që kryhet si përurim i çdo kishe orthodhokse, në qendër të Tryezës së Shenjtë vendosen lipsane martirësh dhe shenjtorësh. Kjo përbën një ngjarje të shënuar për qytetin e Durrësit, që mbas kaq mundimesh që kaloi në dhjetëvjeçarët e shkuar, tashmë ka edhe këtë vend të shenjtëruar, që na lidh me vetë Apostull Pavlin dhe Episkop Astin.
Që kjo kishë të realizohej u desh që shumë njerëz të jepnin ndihmën e tyre. Ata që punuan për projektin dhe realizimin e kishës, por mbi të gjitha shumë të panjohur, të cilët dhanë donacionet e tyre që kjo kishë të përfundonte sa më shpejt. Le të falënderojmë Perëndinë për këto dhurata kaq të mëdha, sepse ka edhe shumë kisha të tjera, rreth 150 tempuj të rinj, që presin për t’u shenjtëruar. Por në mënyrë mistike ka edhe mijëra tempuj të tjerë që janë mijëra besimtarë që presin të ndjehen tempuj të Shpirtit të Shenjtë, siç theksohet në Kishë se ju, njerëzit jeni tempuj të Perëndisë së Gjallë. Ka dhe vëllezër të tjerë që nuk janë gëzuar me këtë vendim, prandaj ne duhet ta transmetojmë këtë gëzim dhe vërtetë që edhe ata ta ndjejnë se çdo të thotë të jesh tempull i Shpirtit të Shenjtë.
Kur ne mendojmë për atë rrebesh aq të madh që kaloi ky vend nën regjimin komunist, mendja na shkon te kishat dhe manastiret që u shkatërruan. Por shkatërrimi më i egër dhe më i rëndë ishte çrrënjosja e besimit nga vetë shpirtrat e njerëzve, shkatërrimi i frymës së dashurisë dhe shpresës, që të ndihmojmë veten tonë, ashtu edhe bashkëpatriotët tanë që të gjejnë të vërtetën.
Dua t’ju uroj që Zoti të bekojë jetën e të gjithëve, veçanërisht krerëve lokalë, që me kaq dashuri dhe vëmendje ndjekin përpjekjet që bën Kisha nën dritën, shpresën dhe pritjen e Ngjalljes.
Nessun commento:
Posta un commento