Kleriku orthodhoks që kreu burgun komunist
Atë Anastas Thanas Rrasa, lindi në fshatin Shtërmen të Shpatit
të Poshtëm të Elbasanit, më 1909, në një familje me tradita të pasura
në besimin orthodhoks. Prindërit ishin bujq të thjeshtë, por njerëz të
virtytshëm në sjellje e besim te Perëndia.
Rinia i kaloi në një periudhë lëvizjesh të fuqishme atdhetare.
Pasi u martua me shërbëtoren e Perëndisë, Fanien, djaloshi, tanimë
i burrëruar, Anastas Rrasa shkoi në shkollë për të mësuar për klerik në
fillim në Tiranë e më pas në Greqi. Mbaroi shkollën e pasi u pajis me
kulturë fetare të bollshme, erdhi e u dorëzua klerik më 1929 dhe nisi
shërbesën në Shpatin e Poshtëm, që nga ura e Shkumbinit e deri në
Gostimë e Mollas. Shpeshherë shkonte edhe në fshatrat e Shpatit
të Sipërm për shërbesa të ndryshme sa herë e thërrisnin besimtarët.
Jo vetëm në Shtërmen, fshatin e tij, por ai gëzonte respekt të
veçantë në tërë fshatrat e Shpatit. Gjithashtu kishte miq e shokë edhe
të besimeve të tjera, myslimanë e bektashinj, e shkonte nëpër festa
tek ata si për Bajram, Novruz etj. Edhe ata vinin po ashtu tek familja
e tij për Krishtlindje, Pashkë ose edhe festa të tjera orthodhokse në
nderim të shenjtorëve. Kjo kishte qenë tradita e shqiptarëve në shekuj.
Besimi ishte i ndryshëm, por dashuria e respekti reciprok ishte i njëjtë. Por kjo miqësi nuk shikohej me sy të mirë nga komunistët. Ata nuk e dëshironin një gjë të tillë, ndaj atin e nderuar të Shtërmenit e më gjerë e akuzuan se kishte vrarë një partizan.
Kjo ndodhi menjëherë pas luftës, kur kishte afro trembëdhjetë vjet që shërbente klerik në zonën e tij me tërë forcën e shpirtit dhe të trupit. Tanimë ai ishe bërë shtatë herë baba, dhe një baba shumë i mirë për pesë djemtë e dy vajzat e tij.
Fjalët po shtoheshin dhe ditët për arrestimin e atë Anastasit nuk ishin larg. Edhe ai po e kuptonte këtë gjë, ndaj dëshiroi të arratisej.
Por, nuk qe e thënë të realizohej, se u kap, por për mungesë faktesh
nuk u arrestua aty për aty. Nuk vonoi dhe me vendimin nr.157, datë
06 korrik 1946, pas dënimeve me vdekje e burgimit të përjetshëm, iu
komunikua dënimi me 25 vjet burg “për tradhti ndaj atdheut”.
Atë Anastas Rrasa qëndroi me kokën lart, duke deklaruar gjithnjë se “ nuk i kam të lyera duart me gjak dhe jam i pafajshëm.” Gjithashtu u pohonte shokëve bashkëvuajtës se kur kryqëzuan Krishtin, më të pafajshmin e botës, pushtetarët e sotëm mund të bëjnë ç’të duan me ne, ndaj gjithçka do të presim prej tyre. E morën ditën e Rrëshajëve pas meshës dhe e arrestuan në degën e policisë së Elbasanit. Po atë ditë erdhën e bastisën shtëpinë. Të parat gjëra që grisën e dogjën ishin librat e tij të shërbesave, Ungjilli e gjithçka që bënte fjalë për fenë. Thua se edhe Perëndia me fjalën e Tij të ishte armik dhe i urryer për pushtetin. Pas dënimit, familja e pësoi gjithnjë e më keq, duke u shpallur armike e pushtetit popullor e duke iu hequr e drejta e votimit pjesëtarëve të saj si e drejta më elementare dhe çdo e drejtë tjetër. Fëmijët e të afërmit nuk u internuan, se për ta internimi më i mirë ishte fusha e përbaltur e Pazhokut, duke punuar në ujë e baltë ditë e natë. Edhe pse mësonin shumë e ishin shumë të zgjuar, fëmijëve e nipërve asnjëherë nuk iu dhanë të drejta studimi.
Atë Anastasi e kreu dënimin pa e mohuar asnjëherë që ishte klerik.
Aty ku punonte e jetonte si i dënuar, ai sillej kurdoherë si punëtor i mirë i vreshtit të Krishtit. Edhe shokët e donin dhe e respektonin si të tillë. Kur erdhi në qershor 1968 dhe kishat kishin më se një vit që ishin
mbyllur e prishur, atë Anastasi në valixhen e atyre pak plaçkave të
trupit kishte shënuar pa iu trembur fare qerpiku “atë Anastas Rrasa”.
Atij i dhembte shpirti, sepse kishte mbi 22 vjet pa meshuar, ndaj puna e parë që bëri mori nipërit e mbesat dhe i pagëzoi. Fëmijëve të tij u thoshte “ mos i ulnin kokat, por jini gjithnjë krenarë e jetoni me pastërti nderi e frikë Perëndie”. Tek të afërmit e tij shkonte në
të shumtat e herëve natën për të mos rënë në sy. Nuk donte më që
të ndeshej e të vuante, ndaj edhe u largohej bisedave me njerëz që
donin ta provokonin. Edhe në dasma kur ishte i ftuar e shikonte që kishte komunistë aty largohej ai vetë. Por besimtarët e mirë që e
njihnin bariun e tyre, shkonin për vizita e pyesnin përditë të kremtesh
dhe këshilloheshin me të për gjëra shpirtërore. Prifti Anastas nuk
ngurronte t’i ndihte ata që ia kishin me të mirë, ashtu siç dinte edhe t’i
largohej atij që e pyeste me të shtrembër.
Fjeti me Perëndinë pa ardhur mirë pranvera e vitit 1985. Nuk mundi të dëgjojë sa qe gjallë kambanat e kishave ku meshoi, që u prishën e u ndërtuan sërish, por prehet i qetë te Perëndia që e deshi dhe dëgjoi lutjet e tij. Djemtë e vajzat, nipër e mbesa shkojnë në kishën e Shën Dhimitrit që e kanë fare pranë dhe i luten Atit Perëndi që ta ketë në gjirin e Tij. Ata ndihmojnë herë pas here, famullitarin, atë Aleksandrin, ashtu si deshën të ndihmonin babain e tyre të zhuritur për të qenë pranë e meshuar në altarin e Perëndisë.
Atë Stavri Çipi
Nessun commento:
Posta un commento