lunedì 16 maggio 2011

Pendimi, pagëzimi i dytë


  Uji e gjen pastërtinë e tij kur kalon përmes filtrit shpirtëror të pendimit. Kështu, kur rrëfehem, e akuzoj veten për  çdo të keqe, sepse nuk ka ndonjë mëkat në botë  që nuk e kam bërë qoftë dhe me mendim në një  fije të sekondës. Të tilla lëvizje të shpirtit zbulojnë qartësisht gjendjen time të mëkatit. Mëgjithatë, derisa jemi në jetë kemi mundësi të korrigjohemi. Ungjilli fillon e mbaron me një thirrje për pendim. Mësimi i asketëve të shenjtë dhe të Etërve të Kishës tregon se kur njeriu i ofron Perëndisë lutjen e tij jo si mëkatar, por si i drejtë, ajo nuk ngjitet në Fronin e Perëndisë, sepse Biri i Perëndisë nuk erdhi të thërrasë të drejtët (1Jn 1 :8), dhe ata që ndodhen për pasojë larg së vërtetës, por ata që njohin mëkatet e tyre. «Ne nuk mund të përshkruajmë oqeanin që na ndan nga Parajsa shpirtërore pa patur anijen e pendimit drejtuar nga frika e Perëndisë, dhe pa këta drejtues oqeani i madh do të na përpijë. Pendimi, është anija; frika është timoni; sa për dashurinë, është porti hyjnor [...] ky është porti drejt së cilit shkojnë të gjithë ata që mundohen dhe lodhen për pendimin; por kur të arrijmë tek dashuria, kemi mbërritur tek Perëndia. »
  Pendimi është pëlhura e fundit e jetës sonë asketike. Shën Efrem siriani na ka lënë këtë lutje të domosdoshme  « vlerësomë të shikoj fajet e mia. » Të shikosh mëkatet e tua është një akt shpirtëror i një rëndësie themelore për cilindo që kërkon të shikojë fytyrën e Perëndisë së Gjallë. Ky akt është veprimi i vetë Perëndisë tek ne. Të rrallë janë njerëzit që kapin me intuitën e zemrës natyrën e vërtetë të mëkatit. Zakonisht, ata vendosen në nivelin e moralit njerëzor, dhe nëse ndonjëherë ngrihen përmbi të, gjithsesi nuk është e mjaftueshme. 
  Përmes rrugëve që na lejojnë të njohim mëkatet tona, më e rëndësishmja është besimi në hyjshmërinë e Krishtit; falë këtij besimi, dashuria e Frymës së Shenjtë zbret tek njeriu. Ai që njeh nga përvoja e tij zjarrin e shenjtë të Dashurisë hyjnore, natyrisht përpiqet të mbetet në këtë gjendje të bekuar. Nëse ai kryen ndonjë veprim, ose thjesht ndonjë lëvizje e brendshme që ka për efekt të dobësojë ndjenjën e dashurisë hyjnore, ky pakësim i hirit na zbulon një dhunim tonin ndaj Drejtësisë hyjnore. Atëhere ai kthehet drejt Zotit me një lutje të zjarrtë pendimi ; falë kësaj lutjeje, merr faljen. Sa më i madh ka qënë hiri në orët e vizitave të Shpirtit të Shenjtë, më i dhimbshëm dhe më i thellë do të jetë pendimi. Një njeri i tillë jeton para Perëndisë me thjeshtësi duke e lënë veten të drejtohet nga dashuria dhe frika e Zotit; ky njeri mund të lartësohet deri në përsosmërinë e shenjtërimit pa e kuptuar atë. Një tjetër rrugë për të njohur mëkatin është që të vendosim veten nën gjykimin e fjalës hyjnore. Për një ekzaminim të pastër të gjendjes së tij të brendshme, shpirti i njeriut bindet që nuk i zbaton urdhërimet, prandaj dhe pendohet. Që kjo rrugë ta afrojë me qëllimin e kërkuar, është e domosdoshme të studiojë me zell ligjin e Zotit, sepse « i madh dhe pa fund është ligji yt » (Ps.118 :96) dhe « sa të thella janë mendimet e tua o, Zot » (Ps. 91 :6) Ndërgjegjja dhe intelekti i njerëzve qëndrojnë në një nivel më inferior nga urdhërimet, për vetë aftësinë depërtuese në fushën e Shpirtit. Që të arrijmë në gjendjen e pendimit duhet të përparojmë në këto dy rrugë : zemra dhe mendja ; në pas, në jetën e përjetshme, autentike, ato do të bashkohen dhe do të formojnë një të vetme. « Perëndia është dashuri » (1 Jn. 1 :5) Ai na njeh ne të gjithëve dhe në Të gjithçka është një. Po ashtu edhe njeriu duhet të arrijë gjendjen e dashurisë hyjnore, e cila do të pasohet nga njohja e Perëndisë dhe e vetes së tij. Për të saktësuar këtë mendim le të japim një shembull : shën Simeon Theologu i Ri shkruan për veten e tij se shumë shpesh një dritë i ishte shfaqur; ai e donte këtë dritë, ishte i tërhequr prej saj, por për shumë kohë ai nuk e dinte se Cila ishte kjo dritë. Gjatë një prej vizioneve të kësaj drite gjeti guximin dhe pyeti : « Kush je Ti ? » Ai mori një përgjigje se kjo Dritë që i shfaqej ishte Krishti. Pas kësaj, ai jo vetëm që mbeti në dashuri, por edhe « njohu » këtë dashuri. Bashkimi i përvojës së jetuar dhe i njohjes i vë vulën jetës sonë.[...] Dhurata e pendimit është e një madhështie të pashprehur : falë tij shpirti ynë futet në Misteret e Perëndisë pa fillim. Nëpërmjet pendimit ne asimilojmë në mënyrë ekzistenciale Zbulimin. Vetëm atëhere kur jemi në një trishtim të thellë, në mënyrë të papritur, veprimi i Zotit ndihet brenda nesh. Nuk varet nga përpjekjet tona të kapim këtë Frymë të hollë.[...] Ata që kanë besim të patundur më Krishtin si Perëndi-Krijues dhe Perëndi-Shpëtimtar, në vrullin e pendimit të tyre, përjetojnë dhe ferrin dhe ngjalljen tashmë para vdekjes së tyre trupore. Pendimi nuk është vetëm një veprimtari  mendore që konsiston në modifikimin e asaj që ndodh në botë. Ky ndryshim, ky kthim shoqërohet normalisht me një çudi të thellë, befasi kur e shikojmë veten ashtu si jemi, dhe zemra vuan një keqardhje të hidhur sepse është ndarë nga Perëndia i shenjtërisë. Nuk ka në botë vuajtje më të madhe se sa ky ndërgjegjsim nëpërmjet të cilit po njoh veten si më të keqin e të gjithëve dhe të gjithçkaje. Të gjitha përvojat tona tokësore janë të përkohshme, por marrëdhëniet tona me Perëndinë e kapërcejnë kohën. Të lëshuar në hapësirat e Frymës së përjetshme me një lutje që lind nga urrejtja për veten, ne lutemi pa e lënë vëmendjen tonë të rikthehet sërisht tek ne. Në fillim të pendimit tonë dominon hidhërimi, por më pas shohim të veprojë tek ne energjia e një jete të re e cila prodhon një transformim të mrekullueshëm të frymës sonë.[...] Lëvizja e pëndimit paraqitet vetë si zbulimi i Perëndisë së dashurisë. Na paraqitet gjithmonë e më qartë imazhi i papërshktueshëm, madhështor i Njeriut të lindur para kohërave. Duke soditur këtë bukuri, fillojmë të kuptojmë se në çfarë prishje të tmerrshme kemi katandisur. Dhe ne vuajmë përsëri, por me një vuajtje e panjohur deri më atëhere. Kjo vuajtje nuk na gëlltit, por na frymëzon. Tashmë jemi hedhur në hapësirat hynore. Jemi zhytur në habi për shkak të asaj që po ndodh me ne e cila po na tejkalon. Jemi bërë shumë të vegjël, jemi përulur deri në limitin më ekstrem të opinionit tonë për veten, por ndërkohë, Zoti vjen të na përqafojë si Ati i plangprishësit. Frika dhe turbullimi largohen. Perëndia na zbukuron me dhurata madhështore, ndër më të çmuarat është dashria që përmbledh të gjitha. Nga vuajtje në fillim, pendimi kthehet në gëzim dhe butësi të dashurisë, dhe dashuria merr një formë të re : dhembshuri për çdo qënie të privuar nga Drita hyjnore. 
   
  +Arkimandrit Sofron Sakharov
  Material i shkëputur nga libri “Të shikosh Zotin ashtu si është”

Nessun commento: