Kisha e Shqipërisë
Tradita historike - shpirtërore
Tradita historike - shpirtërore
2 - Nga viti 731 deri në
fillim të shek. XI
Tradita
Periudha e dytë (nga viti 731 deri në
fillim të shek. XI) fillon me bashkimin e Ilirikut Lindor me Patriarkanën
e Konstandinopojës, nga perandori ikonoklast Leoni III Isauri dhe arrin
deri në vartësinë e shumë episkopatave të Shqipërisë së sotme nën
Kryepiskopatën Autoqefale të Ohrit. Tronditjet në këtë vend ishin të
vazhdueshme dhe popullsia e krishterë përballoi sprova të mëdha. Më e
vështira nga këto ishte pushtimi i Durrësit
nga bullgarët, në vitin 896. Pas betejash të ashpra Vasili II mundi të
vendosë (1014 – 1018) sundimin bizantin në këtë zonë.
Të dhënat historike për jetën kishtare të
kësaj periudhe janë gjithashtu të pakta. Dëshmitë më të besueshme mbeten
emrat e dokumentuar të episkopatave dhe episkopëve. Tek “Taktikon” e
Leonit III (733), ashtu si tregohet në “Parisinus Codex”, rajoni i
Ilirikut me mitropoli Durrësin (në të cilën varen 8 episkopata: e Thamnit,
e Skampës, e Liknidhës, e Amantias, e Bylisit, e Atradhës, e Avlonës (Vlorës)
dhe e Akrokeravnisë) zë vendin e 15–të në listën e Patriarkanës
Ekumenike. Më vonë, në “Kushtetutën kishtare” të perandorit Leon Sofos (i
Dituri), në fillim të shek. X, mitropoliti i Durrësit renditej në vendin e
43–të (përpara mitropolitit të Smirnës [Izmirit]), me 15
episkopë në varësi të tij: të Stefaniakës, Ko(u)navisë, Kroonit (Krujës),
Elisus (Lezhës), Diokleas, Shkodrës, Drivashtit, Polaton, Glavenicës ose
Akrokeravnisë, Avlonës, Liknidhës, Antivarit (Tivarit), Çernikës,
Pulkeriopolit (Beratit) dhe Gradicës. Kjo gjë lë të kuptosh, se kishte
organizim të zhvilluar kishtar. Gjithashtu tregon se krijohen episkopata
të reja dhe se prej të vjetrave disa mbeten të qëndrueshme, ndonëse
ndryshojnë vendin në renditje, ndërsa të tjera shfaqen me emra të rinj.
Si mitropolitë të Durrësit të kësaj
periudhe përmenden: Niqifori, që shfaqet në Aktet e Sinodit të VII
Ekumenik në Nikea dhe Lukiani, që firmos në Aktet e Sinodit të madh në
kohën e Fotit, në Konstandinopojë në vitin 879. Gjithashtu ruhen edhe
emrat e kryepriftërinjëve të episkopatës së Drinopolit, ndërmjet të cilëve:
Kozmai (754 – 787), që përfaqësoi Epirin në Sinodin e VII Ekumenik dhe
Vasili I (822). Në shek. X ose në fillim të shek. XI veproi e u martirizua
pranë Elbasanit Shën Joan Vladimiri, lipsanet e të cilit u ruajtën në
manastirin me të njëjtin emër.
Nessun commento:
Posta un commento