Bashkëmeshimi i dy Primatëve në qytetin e Korçës dhe aktivitetet me rastin e 80 vjetorit të Kryepiskopit Anastas, shënojnë edhe përmbushjen e vizitës zyrtare dhe paqësore të Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Thedhori II
Dita e pestë, datë 4 Nëntor 2009
Qyteti i Korçës, i njohur për traditën e tij Orthodhokse u zgjua mëngjesin e së mërkurës nga tingujt e kambanave të Katedrales “Ngjallja e Krishti” që lajmëronin besimtarët për bashkëmeshimin e dy Primatëve në kuadër të vizitës zyrtare dhe paqëore të Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë dhe të gjithë Afrikës, Imzot Theodhorit II. Kjo ditë, mbarte edhe një gëzim të veçantë për të gjithë besimtarët e Shqipërisë, pasi përkonte me përvjetorin e tetëdhjetë të ditëlindjes së Kryepiskopit Anastas, për të cilin kishin përgatitur edhe dhurata dhe surpriza të shumta. Në Liturgjinë Hyjnore, bashkë me popullin që kishte tejmbushur Katedralen, merrnin pjesë edhe Kryetari i Bashkisë, z. Niko Peleshi, Prefekti, z. Koço Bello, Kryetari i Qarkut, z. Ilia Milo, përfaqësues diplomatik, të besimeve të tjera, etj. Në fund të Liturgjisë, Mitropoliti i Korçës u uroi mirëseardhjen dy Primatëve dhe theksoi se vizita e Patriarkut ishte historike dhe do të mbetet e paharrueshme në historinë e qytetit të tij. Në vijim Mitropoliti njoftoi pjesëmarrësit për vendimin e Këshillit Bashkiak që në shenjtë mirënjohjeje, me rastin e ditëlindjes, i jepte rrugës që lidhte Telekomin me Mitropolinë e shenjtë, emrin e Kryepiskopit Anastas. Patriarku në fjalën e tij, pasi shprehu falenderimet e tij për Mitropolitin dhe popullin e Korçës për mikpritjen e tyre abramiane theksoi: “Dje Korça na priti me shi të ftohtë, sot na pret me djell të ndritshëm. Edhe qielli tregon ngazëllimin e engjëjve, pikërisht ditën e lindjes së Kryepiskopit Anastas… Falenderoj autoritetet lokale per vendimin e tyre, pasi rruga që do të marrë emrin tuaj do të mbetet përjetë një simbol mirënjohjeje për veprën tuaj. Perëndia i surprizave, sikundër theksoni ju, vendosi që unë të jem sot këtu, për të festuar ditëlindjen tuaj, jo vetëm si nxënësi dhe biri juaj shpirtëror, por edhe si Primat i Kishës së Aleksandrisë”. Në vijim, Patriarku i Aleksandrisë, në prezencë edhe të episkopëve që e shoqëronin e shpalli Kryepiskopin Anastas “Bamirës të Madh të Patriarkanës së Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës”, vendim që u shoqërua me brohoritje nga të pranishmit. Patriarku i dhuroi Kryepiskopit edhe një statujë të vogël që paraqiste misionarin Anastas në mes të fëmijëve afrikanë, me nënshkrimin në tre dialekte afrikane “Kisha lokale e Kenias i është mirënjohëse Atit të Madh, Kryepiskopit Anastas”. Në fjalën e tij Kryepiskopi Anastas falenderoi Patriarkun për urimet. “Jam tepër i mallëngjyer sepse brenda 24 orëve po përballem me surpiza të shumta, që në mënyrë fisnike dhe të bukur, dashuria juaj i kishte përgatitur. Ju falenderoj, Fortlumturia Juaj, Papë dhe Patriark i Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës për vizitën tuaj, sepse prezenca juaj afër nesh na fali dashuri, mbështetje dhe fuqi. Gjërat që thatë më prekën thellë sepse Afrika është dashuria ime” Më pas, Kryepiskopi shprehu edhe gëzimin që ditën e lindjes së tij e festonte në qytetin e Korçës, sepse besimtarët korçarë e kishin mbështetur gjithmonë, sidomos në orë të vështira. Por, Kryepiskopi Anastas theksoi edhe rrezikun që mund të fshihet duke vazhduar: “Kur po meshoja në altar, i thashë vetes, kujdes nga lavdërimet e shumta. Mund të të shkaktojnë një dehje shpirtërore që të largojnë nga dashuria e Krishtit. Le të jetë lutja dhe urimi juaj, jo për shumë vite, por për kohë që të jetoj ashtu siç do Perëndia me pastërti dhe përulësi… Në botë nuk ka propozim më të mirë se jeta e krishterë. Prandaj pranova të shërbej në Shqipëri, si vend i privuar nga besimi orthodhoks”. Në drekën që shtroi Mitropoliti i Korçës për nder të dy primatëve, fjala u mor edhe nga personalitete të tjerë të artit, letrave, profesorë universiteti dhe përfaqësues të pushtetit lokal, të cilët falenderonin Patriarkun për vizitën e tij dhe uronin edhe Kryepiskopin për ditëlindjen, duke i paraqitur atij edhe dhuratat e ndryshme simbolike. Patriarku do të rezervonte edhe një tjetër surprizë për Kryepiskopin, kur këndoi një këngë popullore të Kretës, e cila fliste për një shqiponjë, duke simbolizuar kështu figurën e fuqishme të Kryepiskopit Anastas, i cili edhe pse në kushte të vështira, arriti të fluturonte lart, ashtu si shqiponja. Gjatë kësaj dreke zyrtare edhe Mitropolitët afrikanë, Imzot Jeronimi dhe Imzot Jonai treguan historitë e jetës së tyre, sesi Kryepiskopi Anastas, me predikimet dhe shembullin e tij, kishte ndryshuar jetët e tyre duke i përgatitur ata në mënyrën e duhur kishtare për detyrën e lartë të episkopit. Artistët dhe të rinjtë e qytetit të Korçës kishin organizuar edhe një koncert festiv madhështor me rastin e vizitës së Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës. Koncerti që u shfaq mbasditen e së mërkurës do të mblidhte në sallën e teatrit shumë spektatorë, të cilët kishin ardhur për të nderuar vizitorët që vinin nga kontinenti afrikan. Në fund të koncertit, Mitropoliti i falenderoi edhe njëherë dy Primatët për prezencën e tyre këtë ditë të shënuar dhe theksoi se vizita e tyre ia kishte shtuar ndriçimin dhe bukurinë qytetit të Korçës. Ai paraqiti edhe dy dhurata simbolike, një pikturë të Katedrales së qytetit për Patriarkun Theodhor dhe një portret për Kryepiskopin Anastas.Patriarku Theodhor falenderoi artistët e Korçës për evenimentin e bukur që kishin përgatitur dhe uroi nga zemra Kryepiskopin Anastas për ditëlindjen e tij. Ai e konsideroi si një vullnet të Përkujdesjes Hyjnore faktin se ishte i pranishëm së bashku me sinodhinë e tij, në këtë ditë gëzimi për Kishën e Shqipërisë. Edhe Kryepiskopi Anastas i falenderoi qytetarët e Korçës për të gjitha dhuratat dhe surprizat që kishin përgatitur dhe shtoi se ndjente një gëzim të veçantë që gjendej në Korçë, sepse ndjehej si në shtëpinë e tij, mes vëllezërish dhe bijve të tij shpirtërorë. Kështu, me këtë aktivitet u mbyll edhe vizita zyrtare dhe paqësore e Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Theodhorit II. Patriarku, në krye të delegacionit zyrtar zhvilloi dhe përmbushi me sukses të plotë, vizitën e tij pesëditore në Kishën e Shqipërisë. Ai pati rastin të shikonte përparimin dhe zhvillimin e madh të Kishës së Shqipërisë, e cila nën drejtimin e frymëzuar të Kryepiskopit Anastas, ishte ringritur nga hiri dhe kishte njohur kulmin më të madh historik, që pas goditjeve fatale që i kishte dhënë sistemi totalitar për 23 vjet me radhë. Patriarku do të shprehte habinë e tij të vazhdueshme me çdo zhvillim dhe arritje të Kishës që ai konstatoi gjatë vizitës së tij hisorike në Shqipëri duke theksuar sa herë që i jepej rasti se: “Ne po jetojmë një mrekulli, çdo ditë të vizitës sonë ne pamë nga afër ringjalljen e Kishës së Shqipërisë dhe rilindjen shpirtërore të shqiptarëve. Ati dhe mësuesi ynë, Kryepiskopi Anastas, vazhdon ende të na mësojë, jo vetëm me fjalët dhe vizionin e tij hierapostolik, por edhe me veprën e tij madhështore, suksesi i së cilës të jep garancinë se ky misionar i fuqishëm dhe Kryebari i madh ka tërhequr mbi Kishën që udhëheq, Hirin mrekullibërës të Perëndisë dhe ka fituar me personalitetin që rrezaton, zemrat e të gjithë bashkëpunëtorëve dhe bijve të tij shpirtërorë”. Me këto përshtypje të larta dhe konsiderata të sinqerta, me falenderime të cilat shpreheshin në çdo ditë të kësaj vizite zyrtare, me mallëngjim të fortë dhe ndriçim ngjallësor u përmbush kjo vizitë e parë zyrtare dhe paqësore e Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, që përbën një ngjarje historike kishtare, sepse Kisha e Shqipërisë, për herë të parë në historinë e saj, vizitohet nga një delegacion i këtij niveli të Kishës aleksandriane. Ditën e Enjte, datë 5 Nëntor 2009, Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë së bashku me delegacionin që e shoqëronte u largua nga vendi ynë. Në aeroport, vizitorët e lartë të Kishës së Afrikës u përcollën nga Kryepiskopi Anastas dhe nga anëtarët e Sinodhit të Shenjtë të Kishës së Shqipërisë. Kishin ardhur për të përcjellë Patriarkun edhe ambasadorët e Egjiptit dhe të Greqisë. Para se të nisej, Patriarku Thedhor deklaroi: “Po marr me vete për t’u shpënë bijve të mij të Afrikës, ndriçimin paskal të Kishës së Shqipërisë, dritën e Ngjalljes së Anastasit…”
Aleks Curi
Nessun commento:
Posta un commento