mercoledì 25 novembre 2009

Fjeti Patriarku i Serbisë Pavle


Më 15 nëntor, fjeti më Zotin, në moshën 95-vjeçare, Patriarku Pavle, i Kishës Orthodhokse të Serbisë. Ai ndërroi jetë në spitalin e Beogradit, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Gjatë kësaj kohe Kisha u drejtua si mëkëmbës patriarkal nga Mitropoliti i Malit të Zi, Hirësia e Tij Amfilloje. Me këtë rast, u shpall zi treditore dhe trupi iu vendos në katedralen e Beogradit, ku qytetarët mundën t’i bëjnë përshëndetjet e fundit, deri në çastin e funeralit, që u krye ditën e enjte, 19 nëntor. Shërbesa u kryesua nga Patriarku Ekumenik Vartholomeu I, në prani të shumë primatëve orthodhoksë dhe të përfaqësive nga kishat e krishtera, mes të cilave edhe një përfaqësi nga Kisha jonë, e kryesuar nga Kryepiskopi Anastas.
Patriarku Pavle lindi në vitin 1914, në një zonë të Kroacisë së sotme. Ai shquhej për përulësinë dhe përkushtimin e tij. Mori drejtimin e Kishës Serbe në vitin 1990, në një moment të vështirë tensionesh gjithnjë në rritje, që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë.
Kryepiskopi Anastas, shprehu ngushëllimet në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me anë të një telegrami:
Me hidhërim shumë të thellë u njoftuam për largimin e fort të respektuarit dhe shumë të dashurit Patriark të Serbisë, zotit Pavle, i cili, me thjeshtësinë dhe diturinë e tij prej Shpirtit të Shenjtë, shkëlqeu me dritë të paqme fronin e Kishës së dashur të Serbisë.
Lutemi thellësisht, që Zoti, të cilin e deshi në mënyrë absolute dhe që me vetësakrificë i shërbeu në periudha shumë kritike, ta ketë shpirtin e tij bashkë me shenjtorët e tij. Personaliteti i tij i jashtëzakonshëm mbetet një pasuri shpirtërore dhe shembull i ndritshëm për të gjithë klerikët orthodhoksë.


I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Nessun commento: