Mbi Liturgjinë Hyjnore
"Liturgjia Hyjnore është me të vërtetë shërbimi i qiellit mbi tokë, gjatë të cilit Perëndia vetë, në një mënyrë të veçantë, të menjëhershme dhe të afërt, është i pranishëm dhe banon me njerëzit, duke qenë vetë Ai Kremtuesi i padukshëm që blaton dhe blatohet. Nuk ka mbi tokë ndonjë gjë më të shenjtë, më madhështore, më të madhe, më solemne, më jetëdhënëse se Liturgjia. Kisha, në këtë çast, bëhet një qiell tokësor; ata që kremtojnë përfaqësojnë vetë Krishtin, engjëjt, Keruvimet, Serafimet dhe apostujt. Liturgjia është madhështia pafundësisht e përsëritur e dashurisë së Perëndisë për njerëzit, e ndërhyrjes së Tij të gjithëfuqishme për shpëtimin e mbarë botës dhe të çdo anëtari në veçanti: dasma e Qengjit, dasma e Birit të Mbretit, ku çdo shpirt që beson është e fejuara e Birit të Perëndisë; dhe është Fryma që e sjell të fejuarën. Oh, sa shumë duhet të përgatitemi, të pastrohemi, të lartësojmë shpirtin që të marrim pjesë në Liturgji, që të mos rreshtohemi me ata që nuk e kishin rrobën e dasmës, por kishin një veshje të ndotur nga pasionet, të cilët u hodhën këmbë e duar të lidhur jashtë nusërores, në errësira. Por sot, për fat të keq, shumë njerëz nuk marrin pjesë në Liturgjinë Hyjnore. Disa shkojnë thjesht nga zakoni, dhe ka nga ata që shkuan dhe nuk e lartësuan dhe as e pastruan zemrën e tyre. Kur Zoti zbriti në malin Sina, populli hebre kishte marrë urdhër të përgatitej që më përpara dhe të pastrohej. Në Liturgjinë Hyjnore, kemi më shumë se zbritjen e Perëndisë në malin Sina: këtu, para nesh kemi fytyrën e vetë Perëndisë, i Cili e dha Ligjin. Kur Zoti iu shfaq Moisiut në ferrën e zjarrtë, e urdhëroi të hiqte sandalet nga këmbët. Këtu, kemi një shfaqje të Perëndisë e cila është edhe më e lartë se ajo në Horeb: atje ishte vetëm fytyra, ndërsa këtu realisht Perëndia. Oh, sa të lidhur jemi me gjërat e tokës! As edhe një orë të vetme nuk ia kushtojmë Perëndisë! Edhe gjatë Liturgjisë Hyjnore, qiellore, e lëmë veten të mendojë, të ëndërrojë për gjërat e botës, dhe ndonjëherë, e rëndojmë me imazhe të papastra; ndërkohë që duhet të luteshim me zjarr, të meditonim pa ndërprerje mbi këtë mister, të pendoheshim për mëkatet, të dëshironim me zell të pastrat, të shenjtëruarat, të ndriçuarat dhe të forcuarat në jetën shpirtërore si dhe përmbushjen e urdhërimeve të Krishtit; të luteshim për të gjallët dhe për të fjeturit.
Pasi Liturgjia është një sakrificë paqësimi, i veprimit të hirit, të lavdërimit dhe ndërmjetimit. O madhështi e Liturgjisë! Kujtojmë, jo jetën e një njeriu të madh, por Perëndinë e mishëruar, i Cili vuajti dhe vdiq për ne, që u ngjall, që u ngjit në qiej dhe do të vijë për të gjykuar botën e tërë. Shkenca e shkencave, është të fitojmë mbi mëkatin që banon tek ne, ose mbi pasionet që veprojnë tek ne...”.
Përktheu Eleni Pani
Nessun commento:
Posta un commento