giovedì 11 marzo 2010

Vi presento questo articolo di Aurora Allushaj in albanese riguardante il Comune di Vaccarizzo Albanese (CS)

Aurora ALLUSHAJ

Ka mbetur legjendë jo vetem per familjen Argondica por për të gjithë zonën e Vakarixo Albanese ne provincen e Kozences fustani që kjo familje trashëgon. Nuk dihet saktësisht sa i vjetër është, por i vetmi informacion që kanë për të është se është sjellë në Itali, rreth 6 shekuj më parë nga familja e Argondicajve. Pinjolli i kësaj familje Xhorxho Argondica, tregon për "Gazetën Shqiptare" historinë e fustanit të qëndisur me flori dhe rrëfen se si e veshi në ditën e dasmës këtë fustan kushërira e tij, Rafaela. Me një Shqipe që tingëllon si nga jugu i Shqipërisë së sotme ai shprehet se ky fustan ka qenë gjithmonë kuleta e ëndrrave të tija fëmijënore. Sa e sa herë shprehet ai më ka kapur gjyshja tek hapja baulen për ta parë, në ato kohë ishte fustani që më lidhte me një botë të panjohur, me Arbërinë e të parëve të mi. "Gjyshja ime më tregonte shpesh baulen dhe më thoshte se aty brenda ndodhej çelsi i gjakut tim, domethënien e kësaj shprehje e kam kuptuar shumë vonë", tregon Xhorxho djali i madh i familjes Argondica. Nuk di shumë për këtë thesar që kam në dorë por kuptohet lehtësisht se familja e të parëve të mi ka qenë një familje e pasur. Ato pak gjëra që jam në dijeni janë se familja ime ka ardhur ketu në kohën e Gjergj Katriot Skënderbeut dhe me vete solli këtë fustan, që është një veshje gala e asaj epoke. Sëbashku me fustanin trashëgoj nga familja ime tregon 39-vjeçari, disa varse floriri dhe vëth me të vërtetë të punuar shumë bukur, me një stil shumë te rrallë.
Aldo Marino kryetari i Komunës së Vakarizo Albanese tregon për gazetaën se nga të gjitha veshjet dhe reliket e trashëguara fustani i Argondicajve është më i vjëtri dhe më i veçanti. Kryetari Marino, shprehet shumë i kënaqur me vendimin e vëllezërve Argondica që fustani prej tre vitesh të përdoret nga muzeu dhe të shijohet nga të gjithë vizituesit e kësaj zone.
Fustani
Nëse do të ndothte që ta shikoje në një vitrinë dyqani nuk do ta kuptoje kurrë se është stiluar dhe qepur rreth 6 qind vjet më parë, por ka stil dhe hijeshi, gjë që e bën të ndryshëm nga një veshje e markës së kohëve të sotme. Eshtë një fustan i veçantë që çdokujt do ti vinte dëshira ta provonte në trup në momentin që do ta shikonte të veshur në manekinin e muzeut të Vakarixos. "Stili i kësaj veshje më kanë treguar se përqas me ato të grave Ilire që ndoshen në muzeun e Tiranës, por unë kurrë nuk i kam parë tregon 39-vjeçari, Xhorxho Argondica. Pjesa e sipërme e fustanit është e bardhë me flutura të mëdha ndërkohë që pjesa e fundit ngjan me një fustan të viteve 1800. Në krye hidhet hijshëm një vello e tëra e thurur me ar. është ky fustani që familja e Argondicajve trashëgon për shekuj me radhë. Fustani nuk është restauruar asnjëherë dhe aktualisht ndodhet në muze. Nuk është i vetmi fustan Arbëresh në zonën tonë tregon Kryetari i Bashkisë së Vakarizos Albaneze avokati, Aldo Marino. Por ky fustan është më i veçanti, që nga momenti që e kam parë për herë të parë jam mahnitur dhe sa herë që e shikoj më duket sikur zbuloj dicka të re në të, tregon ai.
"Nuk kam patur fat që im atë të rronte shumë dhe të më tregonte çfarë dinte, ai na la të vegjël mua dhe tim vëlla tregon Xhorxho. Ato pak gjëra që kam mësuar më kujtohen nga gjyshja por dhe ajo vdiq kur unë isha vetëm 5vjeç. Gjithmonë do të kem dëshirë të di se nga janë rrënjët e prejardhjes sime dhe pse jo të shkel aty ku të parët e mi kanë jetuar", përfundon ai.
Dasma
Mund të ndoshë shpesh në ditët tona që një nuse kur martohet të vesh fustanin e nënës ose të gjyshes por që të vishet më një fustan 6 qind vjet të vjetër është nuk është dëgjuar kurrë. Rafaela Argondica, pinjolle e familjes Arbëreshe të Argondicajve ka bërë realitet ëndrrën e saj të fëmijërisë, të vesh në ditën e dasmës fustanin e vjetër që trashëgon familja e saj. Në fillim të gjithë mendonin se isha e marrë që kërkoja diçka të tillë por kur më panë me fustanin veshur ndërruan mendim", tregon ajo. "Bashkëshorti im Marko, është edhe ai Arbëresh dhe më ka mbështetur në vendimin tim. Tashmë kanë kaluar dy vite nga dasma jonë por ajo ditë do të ngelet speciale më shumë për faktin se vesha një fustan ndryshe nga nuset e tjera. U ndjeva me të vërtetë pjesë e kalvarit Arbëresh të familjes sime", përfundon 32 vjeçarja Rafaela Argondica.
Kultura
Komuna e Vakarizo Albanese ndodhet në provincën e Kozarës në jug të italisë. Në këtë komunë bëjnë pjesë disa fshatra Arbëresh të cilat kanë ruajtur për shekuj me radhë, gjuhën, traditën dhe zakonet e vendit tonë. Në keto fshatra flitet dhe shkruhet gjuha Shqipe gjithashtu trashëgohet e paparekur edhe një pjesë e madhe e historisë së vendit tonë.

Nessun commento: