domenica 23 gennaio 2011

Pubblicata da Enoria e Shen Theodhorit Vlore

E DIELA XIV E LUKAIT (Luka 18:35-43). BURIMI I MËSHIRËS


“Jisu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua” (v. 38).
Pjesa e sotme ungjillore i referohet mrekullisë së shërimit të të verbrit në Jeriko. Përbën një shembull të mrekullueshëm komunikimi personal të njerëzve me Jisu Krishtin. Bëhet fjalë për një nga tri mrekullitë e fundit, që kreu Zoti “duke ardhur për të pësuar vullnetarisht”.
Shumë të verbër shëroi Jisu Krishti, në vitet e jetës dhe shfaqjes së Tij mbi tokë. U hapte sytë. U jepte dritën e tyre. U dhuronte gëzimin dhe lumturinë e jetës së tyre. Dhe, bashkë me këto dhurata të Tija, u jepte edhe shpirtrave të tyre dritën qiellore. Një nga ata është edhe i verbri i Ungjillit të sotëm të shenjtë.
Zoti, me shoqëruesit e Tij, afrohet në Jeriko. I verbri, i ulur në anë të rrugës, kupton se po kalonin shumë njerëz. Pyet për të mësuar çfarë po ndodh dhe i përgjigjen: “Po kalon Jisu Nazaretasi”. Sapo dëgjon këtë, fillon të thërrasë me zë të lartë: “Jisu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua”! Ata që ecnin përpara e qortojnë dhe i thonë të pushojë, që të mos shqetësojë Zotin. Por i verbëri thërriste edhe më fortë: “Biri i Davidit, ki mëshirë për mua”. Jisui qëndroi dhe urdhëroi ta sjellin të verbrin pranë Tij. Kur ia sollën, e pyeti: “Çfarë do të të bëj?” -“Zot, dua të shoh përsëri”, u përgjigj i verbri. -“Shih përsëri!”, i tha Krishti, “Besimi yt të shpëtoi”. Të verbrit iu kthye menjëherë shikimi dhe i gëzuar shkoi pas Zotit duke përlëvduar Perëndinë. Por edhe i gjithë populli, që pa atë mrekulli, lavdëroi Perëndinë.
*  *  *
Dy kushte kryesore nevojiten, që të shpëtojmë edhe ne nga verbimi ynë shpirtëror, me të cilin na errësojnë pasionet e shpirtit tonë. Së pari, besa e gjallë tek personi i Jisu Krishtit dhe së dyti, bindja tek drejtësia dhe vlera e përpjekjes sonë. Shembull i gjallë i verbri i Jerikosë. Nëse i verbri do të dyshonte për tërëfuqinë e Jisuit, Birit të Davidit, nuk do të shërohej kurrë. Por, njëkohësisht, beson në mënyrë të patundur dhe ka bindje të plotë se, në fund të fundit, kërkesa e tij është e drejtë. Prandaj nuk dyshon se Zoti Jisu Krisht, për të cilin kishte dëgjuar aq shumë gjëra dhe besonte se ishte Mesia, do donte dhe do të mundte t’i jepte dritën e syve.  Kishte gjithashtu edhe një dëshirë të madhe për të fituar shikimin, që sytë e tij të errët të shikojnë dritën e ëmbël. Kështu, asgjë nuk ishte e mundur ta sprapsë.
Nevojitet, pra, besë e gjallë dhe e qëndrueshme në hyjninë dhe tërëfuqinë e Jisu Krishtit. Pa këtë besë dhe bindje në drejtësinë e përpjekjeve tona, do të përkulemi me lehtësi. Nevojitet gjithashtu një besë, se, për këtë që përpiqemi, ia vlen të bëjmë sakrifica dhe çdo gjë tjetër që varet nga ne, për ta pushtuar. Sepse nëse dikush nuk beson në vlerën që quhet drejtësi, përse të përpiqet të jetë i drejtë dhe i ndershëm në marrëdhëniet e tij me njerëzit? Dhe, nëse nuk beson në vlerën dhe bukurinë e jetës së qashtër, si do të luftojë që ta mbajë veten e tij të pastër dhe të kulluar nga ndotjet e mëkatit, dhe të mos tradhtojë qashtërsinë e shpirtit dhe trupit të tij? Pra, është e domosdoshme të ekzistojë besa e madhe në hyjninë dhe tërëfuqinë e Krishtit, besa në vlerat shpirtërore dhe në idealet e përjetshme, besa në drejtësinë e kërkesave tona.
*  *  *
Por, nevojitet edhe diçka tjetër. Heroi i Ungjillit të sotëm nuk dispononte kotësira. Dispononte diçka më të madhe: Durimin. Me atë gjeti dritën e syve. Në momentin kur të gjithë i ishin kundër, në vend që ta ndihmonin, ai këmbënguli dhe fitoi. Nëse nuk do të këmbëngulte nuk do të arrinte tek Krishti dritëdhënës, që e bëri mirë. Çdo përpjekje serioze ka nevojë për durim. Sa njerëz të parëndësishëm, me durimin e tyre, u bënë të famshëm?
Demosteni, nga gojëmbajtur, u bë orator i tmerrshëm. Binjaku i verbër, me vullnetin e tij të papërkulur, u bë shkrimtar i famshëm. E njëjta gjë u be edhe me Helen Keller në ditë tona. Lindi pothuajse e verbër dhe memece, dhe u bë një nga shkrimtaret më të famshme. Andoni i Madh, plotësisht i pashkolluar, me këmbënguljen e tij, e mësoi Shkrimin e Shenjtë përmendësh, vetëm duke e dëgjuar. Këmbëngulja bën mrekulli. Shfaq fuqi shndërruese. Secili prej nesh ka brenda tij fuqi, të cilat, vetëm me kultivimin këmbëngulës të botës sonë të brendshme, dalin së sipërfaqe dhe shfrytëzohen në jetën tonë.
Shikojmë rastin e të verbrit, reagimet dhe pengesat që kishte nga ambienti i tij, por edhe nga vetja e tij, si i verbër që ishte, në mënyrë që të takojë Jisuin. Edhe ne pra, do të kemi së pari pengesa nga vetja jonë. Dembelizmi shpirtëror dhe plogështia jonë, do të na dekurajojë për të bërë përpjekjet, mundimet dhe luftërat që nevojiten. Më pas do të biem në kundërshtim jo me përvojën tonë, por me logjikën tonë. Racionalizmi ynë hedh poshtë mrekullinë. Do të shfaqen, pra, raste dyshimi dhe bese të paktë. Ata që pengojnë mund të jenë edhe miqtë tanë. Atëherë, do të gjejmë pengesa edhe nga atje ku nuk e prisnim, ashtu si i verbri.
Edhe diçka tjetër, që duhet ta kemi kujdes. Këmbëngulja, jo vetëm rimëkëmb por, edhe rrënon. Shndërron, por edhe deformon. Ndriçon, por edhe errëson. Varet se si do ta përdorë njeriu. Për të mirën apo për të keqen. Fuqia e erës, në mullinjtë e erës, prodhon energji. Fuqia e erës me 8-10 ballë, në det, fundos varka dhe anije. Të verbrit i bëri mirë këmbëngulja, e përdori mirë. Te Farisenjtë solli rezultate të kundërta. Ata këmbëngulnin në mashtrimin e tyre dhe në shtrembërimin e tyre, prandaj e krijuan vetë shkatërrimin e tyre. Çdo ditë kemi nevojë për këmbëngulje. Nga ushtrimi i saktë i profesionit tonë deri tek arritja e shenjtërisë sonë, nevojitet këmbëngulje e madhe. “I duruari i fituari”, thonë të vjetrit. Mjafton vetëm ta përdorim këmbënguljen saktë.
*  *  *
Vetë Zoti, nuk reshti kurrë së qeni i shumëmëshirshëm dhe i dhimbsur. Dhe ne kurrë nuk reshtim së pasuri nevojë të përditshme për mëshirën e tij.  Problemet tona të përditshme personale, familjare dhe shoqërore, duhet të na bindin  plotësisht, se vetëm me ndihmën e tij është e mundur të zgjidhen dhe të ndreqen. Madje, për të na inkurajuar, na jep premtimin se do të plotësojë kërkesat tona: “Lypni e do t’ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t’ju hapet, sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t’i hapet” (Mat. 7:7).
Që të bëhen të gjitha këto, njeriu duhet të ketë parapërgatitjen dhe durimin e duhur, pikërisht ashtu si na e tregoi i verbri i pjesës së Ungjillit. Nëse ne nuk bashkëpunojmë, atëherë Ai nuk do ta imponojë detyrimisht paraqitjen e Tij. Kur ankohemi se nuk e ndiejmë dashurinë e Perëndisë, kjo nuk do të thotë se Perëndia na ka braktisur, por që ne nuk jemi në gjendje të pranojmë dashurinë e Tij. Prandaj duhet, që me pendimin dhe me lutjen, të kërkojmë gjithmonë mëshirën e Perëndisë, për të na hapur zemrat, në mënyrë që të punojë natyrshëm. Domethënë të qarkullojë brenda nesh dashuria e Perëndisë. Prandaj njeriu duhet të qëndrojë zgjuar dhe të lutet pa pushim, pikërisht ashtu si i verbri, që Perëndia të hapë derën e mëshirës së Tij.
Shën Joan Gojarti na përgjigjet: “Duke mos marrë, more vullnetin e Zotit”. Bindja vullnetare e njeriut ndaj vullnetit të Zotit, do të thotë që e përqafon me dashurinë e tij dhe e bën vullnet të tij. Duhet të kemi mendje të pastër dhe dallim, në mënyrë që të kuptojmë çfarë është ajo që Perëndia vonon të na japë, kur nevojitet lutje ngulmuese, çfarë është ajo që Perëndia nuk dëshiron të na japë, për të mirën tonë, dhe kur nevojitet t’i mbyllim lutjet tona me fjalët që tha Biri i Tij, në kopshtin e Gjethsimanisë: “Ati im, jo si dua unë, por si do ti” (Mat. 26:36).
*  *  *
“Jisu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua”.
Njerëzimi i sotëm, i verbuar nga pasionet, është i paaftë të shikojnë me sy të hapur dhe të pastër, problemet e stërmëdha, dhe mbeten me gojë hapur para: padrejtësisë, urisë, pabesisë, imoralitetit, skllavërisë...  E megjithatë, nëse do të ndiqte rrugën që vijëzoi i verbri i Ungjillit të sotëm, sigurisht nuk do të gjendej në kaosin e sotëm dhe pasigurinë e së nesërmes.
Por, këtë që nuk bëri njerëzimi në tërësi, mund ta bëjë secili prej nesh. I verbri ynë i shëruar tregon burimin dhe dhënësin e mëshirës, Krishtin.
Çfarë na pengon të kërkojmë dhe, madje, të këmbëngulim në përvetësimin e mëshirës së Tij?



Me urime të përzemërta:
Ati dhe Kryebariu Yne

M I T R O P O L I T I

i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë

IGNATI


Nessun commento: