Pozicioni i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, mbi projektligjin për arsimin parauniversitar
pubblicata da Kisha Orthodhokse E Shqipërisë il giorno venerdì 14 gennaio 2011 alle ore 6.33
Nga ana e Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u shqyrtua me kujdes projektligji “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” dhe në përgjigjen drejtuar Ministrisë së Arsimit u shprehim mendimet dhe shqetësimet në lidhje me çështjet fetare që trajtohen në të.
Mendimi i shprehur nga organet përkatëse të Kishës, është se Neni 36, paragrafi 4, mbi ndalimin e simboleve fetare për nxënësit e shkollave, përbën cenim të së drejtës së mendimit, bindjeve dhe ushtrimit fesë, të drejta këto të garantuara për të gjithë qytetarët e Shqipërisë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si edhe nga konventat dhe rezolutat ndërkombëtare të njohura dhe ratifikuara nga Shteti shqiptar.
E drejta e besimit dhe e bindjeve fetare e për rrjedhojë e mbajtjes së simboleve fetare nga ana e nxënësve është në harmoni të plotë me këto të drejta dhe për më tepër ato kurrsesi nuk mund të përbëjnë pengesë ose kërcënim për nxënësit dhe shkollat tona, pasi shoqëria shqiptare edhe pse multifetare është e njohur për harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore ndërfetare. Për më tepër, në Shqipëri ne nuk kemi konflikte rreth simboleve fetare, kështu që mendojmë se ndalimi me ligj i tyre mund të japë efektin e kundërt, duke cenuar tolerancën dhe bashkëjetesën paqësore.
Për këto arsye, në përgjigjen drejtuar Ministrisë së Arsimit sugjerohet heqja e paragrafit 4 të nenit 36, mbi ndalimin e ekspozimit të simboleve fetare.
Tiranë, 11 janar 2011
Nessun commento:
Posta un commento