Urime të shumta në ditën e emrit të Kryepiskopit Anastas
22 janari për besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë ka një kuptim të veçantë. Në ditën kur kujtohet shën Anastas Persiani, kremtojmë edhe emrin e Fortlumturisë së Tij Anastasit, që sivjet përkon me kremtimin para pak kohe të 80-vjetorit të Kryepiskopit tonë. Me këtë rast të shënuar, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, u krye Liturgjia Hyjnore e rastit, ku me Fortlumturinë e Tij bashkëcelebruan edhe Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, episkopët ndihmës, Hirësia e Tij Nikolla dhe Hirësia e Tij Andoni etj. Kisha ishte mbushur me besimtarë që kishin ardhur për t’i uruar Fortlumturisë së tij jetë të gjatë dhe që ta kemi edhe për shumë vite të tjera në krye të Kishës sonë, jo vetëm nga zona e Kryepiskopatës, por edhe nga të tre Mitropolitë, nxënës të shkollave të hapura me kujdesin e Kryepiskopit Anastas, përfaqësues politikë etj. Hirësia e Tij Nikolla, i cili mbajti predikimin e ditës, lidhi jetët e apostull Timotheut dhe shën Anastasit me jetën dhe veprën e Kryepiskopit Anastas. Ai e uroi Fortlumturinë e Tij, në emër të Sinodit të Shenjtë, të klerikëve dhe besimtarëve orthodhoksë. Pas Liturgjisë Hyjnore, në sallën e madhe pranë kishës, në godinën e re të shkollës “Protagonistët”, Kryepiskopi priti urimet më të ngrohta nga të pranishmit, të cilët e falënderuan për kontributin e jashtëzakonshëm për ringritjen e Kishës sonë dhe punën e palodhur për ta çuar gjithmonë e më përpara atë. Një moment i veçantë i kësaj dite ishte vizita e urimit e Kryeministrit, Shkëlqesisë së Tij z. Sali Berisha, i cili erdhi në Kryepiskopatën e Shenjtë, ku u prit nga Kryepiskopi Anastas, anëtarë të Sinodit të Shenjtë dhe klerikë. Ai shoqërohej nga Ministri i Punës dhe Çështjeve sociale, z. Spiro Ksera. Kryeministri i shprehu Kryepiskopit urimet më të përzemërta edhe në emër të qeverisë, për këtë ditë të shënuar, duke ritheksuar vlerësimin e veçantë për kontributin e Fortlumturisë së Tij në krye të Kishës sonë dhe për gjithë shoqërinë shqiptare. “Ju shpreh urimet më të përzemërta të miat, të qeverisë dhe mbarë shqiptarëve. Ne jemi shumë mirënjohës për të gjithë ndihmesën e jashtëzakonshme që keni dhënë dhe jepni në ringjalljen e fuqishme të këtij vendi dhe këtij kombi. Kam shumë kënaqësi t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta ju dhe Kishës Ortodokse. Për të gjithë shqiptarët kjo është ditë e veçantë,” u shpreh Kryeministri. Edhe Kryepiskopi i shprehu Kryeministrit falënderimet për urimet dhe ndihmesën që ka dhënë për komunitetet fetare. Pasdite Kryepiskopi priti përsëri urime, në selinë e Kryepiskopatës së Shenjtë.
Nessun commento:
Posta un commento