Akademia Teologjike jep diplomat
për studentët e vitit të katërt - qershor 2010
“Sot për ju është një ditë e veçantë. Kryerja e studimeve në Akademinë Teologjike është momenti më i rëndësishëm për jetën tuaj. Ju mësuat qëllimin e jetës suaj dhe rrugën si arrihet ky qëllim” – përshëndeti gjatë fjalës së tij, ndihmësdekani i Akademisë, Hirësi Nikolla.
Shërbesa e Kishës është të përhapë Ungjillin dhe nuk ka gjë më madhështore të nxjerrësh një shpirt nga errësira në dritë. Perëndia u kanë dhënë këtyre studentëve misionin, i cili kërkon sakrificë të madhe.
“Akademia ju ka dhënë një mundësi, të krijoni lidhje me Zotin dhe të gëzoni diçka nga ngazëllimi i Hirit Hyjnor. Perëndia e derdh hirin e Tij pa fund dhe jam i sigurt se diçka keni marrë. Unë kam dëshirë që ju të bëheni punëtorë të vreshtit të Perëndisë. Mundi juaj nuk do të shkojë dëm, por do të japë fryte” – theksoi në fjalën e tij imzot Nikolla.
Pas predikimit “Gjithsecili ka një thirrje”, lexuar nga një prej studenteve me rezultate të shkëlqyera, Nestilda Dangaj, kori i Akademisë psali këngë dhe himne kishtare.
Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, i pranishëm në këtë ceremoni, në fjalën e tij përcolli së pari përshëndetjet e Kryepiskopit Anastas, i cili e kishte të pamundur të ishte i pranishëm në këtë ceremoni. Ai vlerësoi rolin dhe misionin e kësaj shkolle, e cila është një bekim për këtë vend, duke shpjeguar se ka pak vende në këtë botë, që mund të dëgjojmë Fjalën e Perëndisë.
“Bekimi që merrni nga kjo shkollë është thesar për këtë jetë dhe jetën e ardhshme. Jini mirënjohës dhe mos u përfshini në kulturën e ankesës. Ankimi prish vizionin e Perëndisë dhe integritetin e njeriut” – nënvizoi imzot Joani. Ai iu bëri thirrje studentëve të kenë falënderimin në shpirt, sepse do të kenë gëzim dhe i vetmi sekret për ta mbajtur të gjallë dritën e Zotit është duke e përhapur atë. Hirësi Joani theksoi gjithashtu se është e rëndësishme të ruhet edhe roli profetik i Kishës, i cili duhet kuptuar si predikim i fjalës së Zotit dhe jo i fjalës sonë.
Pas fjalimeve dhe himneve pasoi edhe ndarja e diplomave si edhe gëzimi i urimeve dhe përgëzimeve të ngrohta, drejtuar të sapodiplomuarve, duke vazhduar këto edhe në drekën festive.
Gjatë drekës, Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati i ftuar për të qenë i pranishëm në ceremoninë e diplomimit, iu drejtua studentëve të sapodiplomuar duke i uruar që të kenë gjithmonë një kujtesë të gjallë, kujtesë të dhuratave të Perëndisë.
Isidor Koti
Nessun commento:
Posta un commento