martedì 15 maggio 2012

Dal sito della Chiesa Ortodossa d'Albania

Bashkëpunim dhe ndarje përvojash. Gratë orthodhokse të Rrushkullit e të Jubës vizitojnë e takojnë ato të Kavajës

   Të dielën e Grave Miroprurëse, dt. 29 prill, një grup i madh grash e të rejash besimtare orthodhokse të fshatrave Rrushkull e Jubë, të rrethit të Durrësit vizituan dhe takuan gratë e të rejat besimtare të qytetit të Kavajës.
   Qëllimi i këtij aktiviteti ishte pelegrinazhi në kishat e qytetit të Kavajës brenda atmosferës festive të pas Pashkës dhe njohja mes tyre. Nisma dhe organizimi i  këtij takimi festiv dhe bashkëpunimi enorish, që kishte motiv  “forcim e bashkëpunim komuniteti dhe ndarje përvojash”, ishte nga Episkop Asti dhe z. Miron Çako, përgjegjës i Zyrës së Katekizmit të Kryepiskopatës. Në këtë aktivitet edhe ndihmuan klerikët e këtyre dy komuniteteve. Merrnin pjesë në veprimtari edhe përfaqësues nga Zyra e Grave të Kryepiskopatës.
   Liturgjia hyjnore u celebrua në kishën e Shën Nikollës. Bashkëmeshuan Episkop Asti, atë Petro Thanasi, atë Asti Beshiri, atë Kristo Sharko dhe atë Jani Tereziu. Në predikimin mbi Ungjillin e ditës, që u mbajt nga z. Miron Çako, u vu theksi ndër të tjera se gratë kanë treguar në historinë e Kishës se kanë fuqi të madhe në përhapjen e besimit të krishterë... çdo grua duhet të dëgjojë Lajmin e Mirë “Krishti u ngjall” dhe ta përhapë atë te familja e saj dhe te shoqëria, sipas shembullit të Grave Miroprurëse.
   Pas liturgjisë pasoi ekskursioni, në mënyrë të organizuara me autobusë nga të dy grupet, me vizitën në kishën e vjetër e çudibërëse të Shën e Premtes (Parashqevisë), e cila sapo është restauruar me fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas. Për të gjithë të pranishmit u ofrua një qerasje bashkë me vezët e kuqe tradicionale të Pashkës, të përgatitura nga gratë mikpritëse.
   Të gjithë ndjenë dhe shijuan me të vërtetë një kënaqësi, paqe dhe gëzim shpirtëror mes motrash të krishtera, të shoqëruar edhe me bukurinë natyrore të vendit të shenjtë. Në këtë atmosferë grave të pranishme në veprimtari u foli Episkop Asti, duke i nxitur më tepër rreth jetës dhe pjesëmarrjes në Trupin e Krishtit (Kishën), nëpërmjet rritjes në dije dhe në përjetim, miqësisë, dëshmisë dhe shërbimit.
   Rasti i festimeve të emrave të vetë besimtareve, i festave dhe panaireve të kishave të tyre përkatëse të Shën Pavlit në Rrushkull, të Shën Premtes dhe Shën Nikollës në Kavajë, dhe përdorimi i teknologjisë komunikuese të kohës përbëjnë disa nxitje dhe shprehje konkrete të këtij komunikimi mes tyre në të ardhmen.
   Me himnin “Krishti u ngjall...” dhe me falënderime drejtuar Perëndisë, Kryepiskopit Anastas dhe organizatorëve dhe pjesëmarrësve, si edhe me lutjen drejtuar Perëndisë që të takohen përsëri dhe më shpesh në organizime të tilla, u mbyll ky aktivitet mbresëlënës. 
 
Nga lidhja e grave besimtare të Kavajës

Nessun commento: