PARAJA
Paraja përbën një temë shumë të rëndësishme në dinamikën njerëzore. Zakonisht të krijon iluzionin se vetëm ajo mbulon dhe shëron anën materiale, pra hyjnizohet. Ajo është si një shkëmb i rrezikshëm nënujor. Paraja në vetvete nuk është as e mirë dhe as e keqe. Një proverb anglez e karakterizon zjarrin si shërbëtor të mirë, por edhe si zotëri të keq. Me të vërtetë, ndezja e zjarrit ka qenë një zbulim i jashtëzakonshëm, një hap i madh civilizues, edhe pse ne e harrojmë këtë gjë në epokën tonë të elektronikës. Zjarri është kthyer në një mjet të mirë në shërbim të njeriut. Por kur del jashtë kontrollit dhe kthehet në fatkeqësi, atëherë është katastrofik. E njëjta gjë ndodh edhe me paranë. Për nga natyra ajo është asnjanëse. Varet nga ne nëse e kthejmë në diçka të mirë apo të keqe. Të gjithë, pak a shumë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me paranë. Siraku i urtë, në Dhiatën e Vjetër, na thotë se "pasuria është e mirë tek ai njeri, në të cilin nuk ka mëkat" (Urtësia e Sirakut 13:24). Pra është faktori dhe rregullatori njerëzor, nëse është mëkatar ose jo, që e përcakton atë. Një veti tjetër e parasë është edhe paqëndrueshmëria e saj. Një murg, që të kujtonte gjithmonë kotësinë e pasurisë, kishte vendosur një tabelë në qelën e tij, ndoshta e vetmja pronë që zotëronte, me fjalët e mëposhtme:"Sot është e imja, nesër e një tjetri, në një të ardhme nuk do ta ketë askush". Shën Joan Gojarti na thotë se pasuria e parave është një skllav mosmirënjohës dhe që arratiset gjithmonë. Një tjetër mësues ekumenik, shën Grigor Theologu, na thotë se "duhet të kesh më shumë besim në flladet e erës që nuk qëndrojnë në një vend dhe në vazhdën e anijeve që vozit, në ëndrrat mashtruese të natës, në ato që skicohen në rërë prej fëmijëve kur luajnë, se sa të besosh në prosperitetin e njerëzve". Soloni i Athinës (shek 7-6 para Krishtit), një nga shtatë të urtët e antikitetit, udhëtoi në shumë vende. Një herë mbërriti në Lidi. Mbreti i vendit, Krisi, krenar për pasurinë që kishte, nisi t'i ekspozojë thesaret e tij. Ai priste që miku të shprehte njëkohësisht habi dhe admirim. Por nuk ndodhi diçka e tillë dhe mbreti u çudit në këtë rast, përse vallë Soloni nuk e quajti njeriun më të lumtur të botës. Vizitori iu përgjigj me një fjalë që mbeti proverbiale: "Mos e lumëro dikë përpara mbarimit të jetës së tij".
Dhe historia tregoi se ai pati të drejtë, pasi mbreti Kris u mund nga Kiri i Babilonisë. Pasuria ka qenë e paqëndrueshmejo vetëm në epokat e hershme, por edhe në atë moderne. Le të shikojmë disa nga sistemet më të njohura ku ajo projektohet, si p.sh. bursat. Vlerat aty lëvizin në pak sekonda aq shumë, saqë shpeshherë, qoftë për shkak të rrethanave të paqëndrueshme, qoftë për hir të mashtrimeve e lojërave, kapitalet e dikujt mund të shkrihen rrufeshëm. Nuk kanë kaluar shumë vjet që nga koha kur djersa e ndershme e shumë njerëzve të thjeshtë avulloi e shpërndarë në firmat piramidale, ngjarje që solli pasoja të tmerrshme në jetët njerëzore. Por kur paraja kthehet në dobi të njeriut? Kur është fituar me mjete të ndershme dhe të ligjshme, veçanërisht kur vihet në shërbim të njerëzimit dhe të së mirës. Ata që kanë pasuri, nuk mund të jenë zotër të tyre gjatë gjithë kohës, ndaj duhet t'i administrojnë për dobi të shoqërisë. Në këtë rast është me vend këshilla e Sirakut: "Humbe paranë për hir të vëllait dhe të mikut, le të mos ndryshket e groposur në humbje. Vër thesarin tënd sipas porosive të të Lartit dhe kjo do të të sjellë më tepër të mira se sa ari. Mbyll lëmoshën në arkën tënde dhe ajo do të të shpëtojë nga çdo e keqe". Profeti Isaia nga ana e tij e shpreh këtë gjë me një mënyrë tepër të gjallë: "Copëtoje bukën tënde me të uriturin, ofroju strehë të pastrehëve të varfër... nëse shikon të zhveshur, vishe... Atëherë drita jote do të shkëlqejë si mëngjesi...Atëherë do të thërrasësh dhe Perëndia do të të dëgjojë; do të jesh ende duke folur, kur Ai do të të thotë: "Po, erdha, jam këtu"... E Perëndia ka për të qenë me ty gjithmonë" (Isaia 58:7-11)Këtë vlerë e theksoi Kisha e hershme në një mënyrë të natyrshme, me krijimin e arkës së përbashkët. Të krishterët e parë vepronin të gjithë njësoj (Veprat 2:44-45), duke pasur si synim barazinë si në gjërat materiale, ashtu edhe në ato shpirtërore. Gojarti thekson se në këtë komunitet nuk ekzistonin fjalët e ftohta "e imja" dhe "e jotja", prandaj dhe në agapitë, darkat e përbashkëta, mbizotëronte ngazëllimi.
Të gjitha këto nuk bëheshin me detyrim, si një lloj kolkozi komunist, por në bazë të vullnetit dhe pranimit të lirë. Kjo barazi e bekuar dhe vëllazërie anëtarëve të të krishterëve të vjetër, vazhdon ende të ruhet në manastire. Askush nuk ka diçka të tijën. Nga igumeni deri te vëllai më i vogël, gjithçka është e përbashkët, si shpirtëroret dhe materialet, ushqimi, rrobat, streha etj. Nëse në kohën tonë, kjo është diçka e paarritshme në nivele kaq të larta të dashurisë, të paktën nuk duhet të biem poshtë nga zbatimi i kushtit më minimal të Ligjit, e në këtë rast vlen ai i Moisiut, që porosiste: 1/10 e të ardhurave duhej të ofrohej për Zotin ose për të afërmin. Ky rregull ka vlerë për gjithsecilin, në masën e të ardhurave që ka, pavarësisht nëse janë të mëdha ose të vogla. Tani le të kalojmë në anën tjetër të problemit: Kur pasuria, e cila vjen nga paraja, është e keqe. "Pasuria e mbledhur me të padrejtë, do të shpërbëhet", na thuhet në librin e Jovit (20:15). Ngjashmërisht, edhe në librin e Isaias, pasuritë e njerëzve të padrejtë shfaqen si diçka e paqëndrueshme. Apostull Pavli i bie kambanës së alarmit kur thotë: "Mos u mashtroni... as lakmitarët... as rrëmbyesit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë" (1Kor. 6:9-10). Ky lloj fenomeni i pasurimit në mënyrë të padrejtë, është mjaft i theksuar dhe problematik në ditët tona. P.sh. në epokën tonë janë të shumta spekulimet me ushqimet dhe pijet jocilësore, një fakt që përbën rrezik publik. Ky është një problem që shqetëson sot shumë vende evropiane. Një tjetër plagë, që sjell ky lloj pasurimi, është bindja e madhe në vetvete dhe vetëpëlqimi, i shoqëruar me arrogancë. Paraja i bën mendjemëdhenj, sa nuk kanë mend dhe u mashtron logjikën. Pas kryelartësisë së brendshme, vjen si pasojë e natyrshme, të dukurit dhe mburrja. Njerëzit e tjerë të afërm shikohen me arrogancë dhe mospranim, nuk konsiderohen si ikona të Perëndisë dhe vëllezër të afërm. Në kësi rastesh zakonisht njeriu i përbuz të tjerët, i fyen dhe, në këtë mënyrë, fyen Vetë Birin e Perëndisë e të njeriut, që shpalli se "të vobektët" dhe të dobëtit sipas kritereve të botës janë vëllezërit e Tij (Matth. 25:40-45). Një e keqe tjetër, që sjell pasuria e fituar me padrejtësi, është përkujdesja dhe tensioni i madh që ajo mbart, fakt që cenon deri në shëndetin trupor. Sjell shumë përkujdesje, ankthe, dyshime të liga, pasiguri. Një fjalë e urtë popullore thotë se "puna e shumtë e ha të zotin". Shën Joan Sinaiti thotë se "sikundër valët nuk mungojnë nga deti, po kështu edhe tek ai që do paranë, nuk mungon zemërimi dhe hidhërimi". Apostull Pavli e shpjegon fare qartë këtë fenomen: "Ata që duan të pasurohen bien në tundim e kurthe dhe dëshira të shumta të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhysin këta njerëz në humbje dhe shkatërrim" (1 Tim. 6:9). E nuk e tepron aspak. Mjaft të pasur kur u varfëruan dhe u rrënuan, mbërritën deri në gjendje psikotike, të çmendurisë ose dhe të vetëvrasjes. Por përveç faktit se pasuria e mundon atë që e ka, ky i fundit stërmundohet edhe nga cenimi i pasurisë. Ka shumë njerëz që kanë si qëllim të tyre vjedhjen e pasurive të të tjerëve, qoftë në bashkëpunimme të tjerë, siç janë lajkatarët servilë, që konsumojnë paratë e të tjerëve, qoftë keqbërësit "që e kanë këtë profesion të tyre", siç janë hajdutët profesionistë. Eklesiasti në librin e tij thotë se "të shumtë janë ata që iu dhanë rënies për shkak të arit". Fenomeni i humbjes së jetëve njerëzore për shkak të pasurisë është më se i njohur në të gjithë historinë. Nuk janë të paktë njerëzitqë u vranë nga kusarët, kurse "i varfri nuk ka pse të ndihet i kërcënuar" (Fjalët e Urta 13:8). Shën Joan Gojarti na thotë, në fjalën e tij për Llazarin, se "kur pasuria shtohet, atëherë ajo i ngre kurthe atyre që e zotërojnë". Prandaj edhe në fjalët e tij për Eutropin, ai e karakterizon pasurinë si "njerivrasëse".
Pra, paratë na shfaqen si diçka e domosdoshme kur përdoren saktë, por kur shtohen, kthehen në diçka të rrezikshme. Një fjalë e urtë meksikane thotë: "Lyeju me mjaltë dhe do të të hanë grerat". Në këtë përfundim del edhe heroi i trishtë i Dostojevskit, Raskolnikovi: "Të lumur janë sa nuk kanë ndonjë gjë për ta mbajtur me kyç". Në romanin Krim e Ndëshkim, shkrimtari i madh kritikon me penën e tij të fuqishme lakminë e parave,pasurimin me mjete të paligjshme, zemërngurtësinë, shpresën te vetja, kryelartësinë, shpërdorimin, jetën e shfrenuar dhe shkatërrimin e shëndetit, të nervave, të trupit, të vetë shpirtit. Tëgjitha këto fenomene gërshetohen me njëri- tjetrin dhe kthehen në një rrjetë të hekurt, që e mban njeriun të shtrënguar, nga ku është tepër e vështirë të shpëtojë dikush. Po çfarë ozicionimi të drejtë duhet të kemi ndaj pasurisë dhe parasë? Në radhë të parë, njeriu nuk duhet të synojë të pasurohet me të padrejtë, siç na thonë edhe psalmet: "Më mirë është e paktae të drejtit, sesa pasuria e shumtë e mëkatarëve" (Psalm. 36:16). Një mentalitet që tregon besim të paktë, zakonisht shikon nevoja, të cilat i konsideron bindëse dhe të pakundërshtueshme,prandaj edhe njeriu duhet t'i kënaqë të gjitha ato. Shumë më e theksuar është kjo kur bëhet fjalë për nevoja që kanë lidhje me nevoja instinktesh të ulëta. Dostojevski ishte tepër i ashpër në kritikën që i bënte konceptit mondan të epokës së tij. Ky koncept i shtynte njerëzit e asaj kohe të kënaqnin të gjitha dëshirat e tyre pa pasur kufizim e, me përmbushjen e tyre, të jepeshin pas kërkimit edhe të dëshirave të tjera. Nëse një fenomen i tillë ishte problematik për epokën kur jetoi Dostojevski, çfarë mund të themi për epokën tonë, atë të konsumizmit. Shpeshherë dëgjohen ankesa të ndryshme, "nuk ia dal dot mbanë", edhe kur punojnë shumë veta në shtëpi, edhe atëherë kur të ardhurat janë të kënaqshme në disa familje me pakanëtarë- një tjetër problem ky që ka ardhur duke ndryshuar në dhjetëvjeçarët e fundit. Konsumizmi në ditët tona është kthyer në një vorbull të madhe, që thith brenda vetes madje dhenjerëzit e matur e gjakftohtë, nëse kjo kategori shoqërore nuk tregohet e kujdesshme. Kur njeriu futet brenda një mekanizmi të tillë, atëherë duhet të shkojë deri në fund të tij. Edhe gjënë që është e tepërt në jetën tënde, e shikon diçka të domosdoshme e që duhet ta zotërosh me çdo kusht. Në këtë rast mbizotëron kjo logjikë e njohur: "përderisa të gjithë janë të tillë, duhet të jem edhe unë". Duhet të ndash me njerëzit e tjerë të njëjtën mënyrë jetese dhe llojshmëri ushqimesh, pijesh, ëmbëlsirash mbi tryezë, e shoqëruar kjo nga larmia e rrobave nëpër dollapë,disa makina, dhe.... kjo gjë nuk ka fund. Le t'i mbyllim këto mendime me pjesë nga vepra e shën Vasilit të Madh, që ka lidhje me pasurinë: "Ke shumë ara, kaq tokë të mbjellë, kullota, male, pyje, livadhe. Çfarë do të bëhet më vonë me të gjitha këto? A nuk të presin tri pëllëmbë dhe? Nuk të mjafton pesha e ca pllakave që do të ruajnë trupin fatkeq? Për kë po mundohesh? Për hir të kujt po bën gjëra të paligjshme? ... Nuk do të vish kurrë në vete nga kjo dehje? Nuk do ta shërosh mendjen tënde? Nuk do të sjellësh para syve gjyqin e Krishtit? Ngado që të hedhësh vështrimin, do të shikosh pamjen e keqe të të këqijave që shkakton. Këtej janë lotët e jetimit, andej psherëtima e vejushës, diku tjetër ndodhen të varfrit që godite... Tëgjithë do të ngrenë krye kundër teje, do të të rrethojë rrethi i lig i veprave të tua të këqija. Sepse mëkatet i ndjekin shpirtrat, njësoj si hija trupin, duke i treguar haptazi veprat". Dhe shën Joan Gojarti na thotë: "Nuk mund të jetë i pasur ai që nuk e pasuron shpirtin". Pra, nëse "pasuria vjen, nuk duhet t'i japim zemrën". Sipas Psalmistit dhe sikur bollshëm të rrjedhë përpara nesh, le të mos e lëmë zemrën që të robërohet. Të lumtur janë ata që nuk janë të ngulitur pas gjërave të këtij dheu, edhe nëse jetojnë e janë kalimtarë përmbi dhe, por që e kanë vështrimin e pastër dhe bëjnë thesare në qiej. "Mendoni ato që janë lart, jo ato përmbi dhé" (Kol. 3:2).
Arkimandrit Justin Anthimiadhis