Doli në qarkullim libri “Përmbledhje e besimit orthodhoks”
I formuluar me një gjuhë të thjeshtë, shkurt, për të qenë sa më i saktë dhe me kthjelltësi dogmatike, duke pasur parasysh gjithmonë njeriun bashkëkohor që hulumton, kërkon dhe “troket” në derën e njohjes së të pafundmes, vjen para lexuesit botimi më i ri i Kishës sonë, “Përmbledhje e besimit orthodhoks”, me autor teologun Athanas Delikostopulos, i përkthyer në shqip nga Dhjakon Anastas Bendo.
Ky libër përmban “Besimin e Orthodhoksëve”, ashtu siç e mësoi Zoti, siç e transmetuan Apostujt e Shenjtë, siç e ruajti Tradita e Shenjtë, siç e shpjeguan Etërit e Shenjtë dhe ashtu siç ky besim jeton ndër shekuj i ruajtur si thesar në Kishën tonë Orthodhokse, e cila është kujdestarja dhe ruajtësja e tij. Libri u shkrua për ata që ecin në rrugën e virtytit, për popullin orthodhoks të Perëndisë, që të jetë më pranë të vërtetave që beson, për t’i kuptuar ato dhe për t’i përçuar edhe tek të tjerët. “Ndërmarrja e shkrimit të një libri të tillë, sado e përulur të duket, është e madhe në thjeshtësinë e saj, serioze për sa i takon qëllimit dhe e hirshme në paraqitje” – tregon autori në parathënie.
Libri ofron njohuri të rëndësishme teorike dhe praktike të besimit dhe gjendet në të gjitha enoritë e Kishës sonë.
Nessun commento:
Posta un commento